Paralajmërohet shtrenjtimi i rrymës dhe ngrohjes

Paralajmërohet shtrenjtimi i rrymës dhe ngrohjes

Çmimi i furnizimit me energji elektrike mund të rritet. SHA EMV ka ofruar të njëjtin çmim prej 65 eurosh për megavat-orë në tenderin e EVN Home për sigurimin e 70 për qind të nevojave me energji elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël.

Për 30 për qind të mbetur, çmimi i ofruar është 74 euro për megavat-orë. Edhe për këtë pjesë është përzgjedhur oferta e EMV-së, pasi ka qenë më e favorshme se ofertat e tregtarëve të tjerë të energjisë elektrike.
Kështu, çmimi mesatar i furnizimit me energji elektrike do të jetë 67.70 euro për megavat-orë, që paraqet rritje prej 4.15 për qind krahasuar me çmimin aktual prej 65 eurosh.

Duke pasur parasysh se në çmimin përfundimtar përfshihen edhe shpenzimet e transmetimit, distribuimit dhe tarifat e tjera, pritet që energjia elektrike për amvisëritë të shtrenjtohet nga 1 janari për 2 deri në 3 për qind. Çmimin përfundimtar do ta përcaktojë Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Ndryshimi vjen në përputhje me Agjendën e Reformave, sipas së cilës, nga viti i ardhshëm, elektranat shtetërore do të sigurojnë 70 për qind të energjisë së nevojshme për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël me çmim të subvencionuar, ndërsa 30 për qind do të sigurohen me çmim të tregut.

Ndërkohë, në periudhën e ardhshme pritet të përcaktohet edhe çmimi i ri i energjisë termike, për të cilin parashikohet shtrenjtim prej 7.5 për qind.
A do të ketë shtrenjtim reale, pritet të shihet ditëve në vijim.

MARKETING