Selmani: Avancimi i gjuhës shqipe kërkon vullnet politik dhe konsensus, jo akuza për të kaluarën

Selmani: Avancimi i gjuhës shqipe kërkon vullnet politik dhe konsensus, jo akuza për të kaluarën

Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Manastir, Imer Selmani, në emisionin “IMPAKT”, ka folur për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe nevojën për një qasje më të unifikuar politike dhe shoqërore. Ai ka theksuar se avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe nuk varet vetëm nga vullneti i përfaqësuesve shqiptarë, por edhe nga gatishmëria politike e partnerëve dhe miratimi i akteve përkatëse ligjore.

Selmani ka kërkuar që debati të mos përqendrohet te përgjegjësia për atë që nuk është bërë në të kaluarën, por te krijimi i një konsensusi për hapat e ardhshëm.

“Ajo që sot na duhet është që të mos kërkojmë fajin se nuk ka shqiptar sot që është në qeveri, por edhe para tre viteve që ka qenë në qeveri, që nuk don ose nuk do të kisha dash që të bëjë një hap përpara në avancimin e gjuhës shqipe. Çështja është sa ka pasur pesë vite më herët, dhjetë vite më herët, dy vite më herët, sot disponim politik nga ana e partnerëve.

Përdorimi i gjuhëve nuk kalon vetëm me dëshirën njëpalëshe të një etnie, është çështja e sjelljes së ligjeve, është çështja e sjelljes së akteve nënligjore, domethënë është një vendim paraprakisht politik.

Edhe pse dikush do të thoshte, po duhet të respektohet Kushtetuta. Ne për gjithçka duhet ta respektojmë Kushtetutën, por jetojmë në një shtet ku gjithmonë mund të gjinden me qindra arsye dhe Kushtetuta të mos respektohet deri në fund, ligjet të mos respektohen deri në fund.

Kështu që, mendoj se ky debat për mua nuk është i pëlqyeshëm, duhet të marrë fund se pse s’u bë dje, apo pse sot nuk është realizuar. Duhet këtu minimumin e konsensusit ta kemi si parti politike, si shoqëri civile, si shoqëri në përgjithësi të jemi më të unifikuar”, u shpreh Imer Selmani në emisionin “IMPAKT”.

MARKETING