(VIDEO) Mexhiti: Gjuha shqipe nuk ka regres por avancim
Flasin të njëjtën gjuhë, por gjuha shqipe vazhdonë t’i përplas partitë politike shqiptare. Bashkëkryetari i VLEN-i, Izet Mexhiti, ka përgënjeshtruar kritikat e opozitës se gjuha shqipe ka hasur në regres. Përkundrazi, ai tha se me ardhjen e VLEN-it në qeveri, jo vetëm se janë ruajtur zgjidhjet ekzistuese, por edhe kanë avancuar zgjidhjet e munguara në drejtim të arritjes së barazisë gjuhësore. Mexhiti bëri të ditur se një sërë provimesh profesionale dhe shtetërore në Maqedoninë e Veriut, tash e tutje do të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe. Ky vendim përfshin disa kategori profesionesh, ndërsa si shembull përmendi provimin për revizorë dhe auditorë të autorizuar shtetërorë, agjentët e sigurimeve, ekspertët e vlerësimit të ndikimit në mjedis, si dhe provimet për punonjësit e institucioneve parashkollore. Në mesin e provimeve që do të mund të zhvillohen në gjuhën shqipe janë edhe ato për mjekët, stomatologët dhe motrat medicinale.
IZET MEXHITI, BASHKËKRYETAR I VLEN-IT
“Që nga ardhja në pushtet e VLEN, qytetarët shqiptarë kanë mundësinë që provimet profesionale dhe procedurat e licencimit t’i zhvillojnë edhe në gjuhën shqipe. Kjo nuk ka qenë kështu në të shkuarën. Gjithçka që dëgjoni nga opozita shqiptare është vetëm tentim për manipulim të fakteve dhe përpjekje për të faktorizuar vetveten”.
Ndërkaq, i menjëhershëm ishte reagimi i partisë opozitare shqiptare BDI, të cilët deklarojnë se VLEN-i ka konfirmuar atë që BDI e thotë vazhdimishtë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve mundëson dhënien e provimeve profesionale në gjuhën shqipe.
BDI
“Sot u dëshmua edhe një herë se gjuha shqipe ka bazë të qartë ligjore dhe kushtetuese për këtë të drejtë. Problemi nuk është te mungesa e ligjit, por te mungesa e vullnetit dhe kapacitetit të kësaj garniture qeverisëse, e cila pa legjitimitet politik nuk arrin as ta zbatojë ligjin. Këtë e ka konstatuar qartë edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve e rregullon këtë çështje dhe se dispozitat e tij duhet të zbatohen”.
Nga BDI theksojnë se Ligji ekziston, ligji e garanton të drejtën dhe ai obligon, ndërsa detyra e qeverisë dhe institucioneve shtojnë ata, është që ta zbatojnë ligjin.
Samir Mustafa /SHENJA/

