(VIDEO) Për 10 ditë policia sekuestroi 67 automjete, dy persona në pranga
Mijëra automjete u kontrolluan nëpër pika kufitare dhe lokacione kritike në vend, ndërsa dhjetëra prej tyre përfunduan të sekuestruara. Ky është bilanci i operacionit ndërkombëtar “CARBACK II”, në të cilin mori pjesë edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë. Gjatë aksionit, të zhvilluar nga 28 shtatori deri më 9 tetor 2026, policia kontrolloi gjithsej 3.944 automjete. Si rezultat, u sekuestruan 67 automjete dhe u privuan nga liria dy persona. Pjesa më e madhe e automjeteve, përkatësisht 55 prej tyre, u sekuestruan për shkak të dyshimeve për veprën penale “fshehje të mallrave që janë objekt i kontrabandës dhe mashtrimit doganor“.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë
“Si rezultat i aktiviteteve të ndërmarra janë sekuestruar 67 automjete. Pjesa më e madhe e automjeteve, përkatësisht 55 prej tyre, u sekuestruan për shkak të dyshimeve për veprën penale „fshehje të mallrave që janë objekt i kontrabandës dhe mashtrimit doganor“. Tre automjete të tjera u sekuestruan për shkak të dyshimeve për falsifikim dokumentesh, përkatësisht manipulim me numrin e shasisë (VIN). Ndërkaq, katër automjete u sekuestruan për kundërvajtje doganore”.
Në mesin e automjeteve të sekuestruara nga MPB thonë se kishte edhe dy që kërkoheshin ndërkombëtarisht nga Gjermania, të lidhura me mashtrime me lizing dhe përvetësim të paligjshëm.
Ndërkaq kontrollet nuk u ndalën vetëm në rrugë dhe pika kufitare. Paralelisht me aktivitetet policore, institucionet kompetente kryen inspektime të koordinuara në 17 subjekte juridike që merren me shitjen e automjeteve dhe pjesëve të përdorura. Gjatë këtyre inspektimeve u kontrolluan edhe 809 automjete, prej të cilave 59 u sekuestruan.
Operacioni “CARBACK II” u organizua nga INTERPOL-i dhe kishte për qëllim zbulimin e automjeteve të vjedhura, kontrabandës, tregtisë së paligjshme dhe grupeve të organizuara kriminale që veprojnë në këtë fushë.
Anida Murati /SHENJA/

