Siljanovska-Davkova: Nuk kam asnjë rol në rastin e “Alta Bankës”

Siljanovska-Davkova: Nuk kam asnjë rol në rastin e “Alta Bankës”

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka deklaruar se institucioni i Presidentit të shtetit nuk ka kompetenca ligjore në procedurat për dhënien apo revokimin e licencave bankare, dhënien e pëlqimeve, mbikëqyrjen e bankave apo vendosjen e tyre nën administrim.

Duke folur në debatin mbikëqyrës në Kuvend lidhur me Bankën Alta, ajo theksoi se të gjitha këto kompetenca i takojnë ekskluzivisht Bankës Popullore, duke nënvizuar se pavarësia e këtij institucioni është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve Sonja Mirakovska dhe Nikola Miceski, Siljanovska-Davkova sqaroi se as ajo dhe as kabineti i saj nuk kanë qenë të përfshirë në procedurat që lidhen me Bankën Alta.

“Nuk kam asnjë autoritet për lëshimin ose revokimin e licencave, dhënien dhe tërheqjen e pëlqimeve, mbikëqyrjen bankare, masat mbikëqyrëse ose futjen e administrimit në një bankë. Të gjitha këto çështje janë në kompetencë të organeve të Bankës Popullore”, deklaroi presidentja.

Duke folur për propozimin e saj që Trajko Slaveski të zgjidhet guvernator i Bankës Popullore, Siljanovska-Davkova tha se vendimin e kishte marrë në mënyrë të pavarur, duke u bazuar në kualifikimet profesionale dhe akademike të kandidatit.

Ajo bëri të ditur se para se të paraqiste propozimin, ishte konsultuar me ekspertë të ekonomisë dhe sektorit bankar, ish-guvernatorë, profesorë universitarë dhe përfaqësues të komunitetit akademik.

Sipas saj, Slaveski i plotëson jo vetëm kriteret ligjore për këtë funksion, por ka edhe përvojë të gjatë akademike dhe profesionale.

“Kandidati Trajko Slaveski jo vetëm që i plotëson kërkesat ligjore, por është edhe profesor me katër dekada përvojë, me një karrierë të rëndësishme akademike dhe ndërkombëtare. Arsyeja kryesore për zgjedhjen time ishte ekspertiza, kompetenca dhe integriteti i tij profesional”, theksoi Siljanovska-Davkova.

Presidentja hodhi poshtë gjithashtu pretendimet për ndonjë lidhje mes propozimit të saj për guvernator dhe hyrjes së Bankës Alta në tregun bankar të vendit. Ajo i cilësoi këto akuza si “të çuditshme” dhe “të pakuptimta”, duke mohuar çdo ndërlidhje mes dy proceseve.

MARKETING