VLEN: Nga 100% maqedonisht, provimet profesionale i bëjmë 100% shqip
Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka njoftuar se një sërë provimesh profesionale dhe shtetërore në Maqedoninë e Veriut, nga tash e tutje, do të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.
Sipas Mexhitit, kjo mundësi përfshin kategori të ndryshme profesionesh, ndër të cilat provimet për revizorë dhe auditorë të autorizuar shtetërorë, agjentë të sigurimeve, ekspertë të vlerësimit të ndikimit në mjedis, si dhe punonjësit e institucioneve parashkollore.
Në këtë listë përfshihen edhe provimet profesionale për mjekë, stomatologë dhe motra medicinale.
Një tjetër risi, sipas Mexhitit, është themelimi për herë të parë i Njësisë për Përkthim dhe Lekturim në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Kjo njësi do të ketë për detyrë përkthimin dhe përgatitjen gjuhësore të materialeve përkatëse.
Mexhiti theksoi se këto ndryshime janë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e vendit, duke kundërshtuar pretendimet se përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe ka shënuar regres.
“Me ardhjen në pushtet, për më pak se dy vite qeverisje, VLEN jo vetëm që ka ruajtur zgjidhjet ekzistuese, por edhe ka avancuar zgjidhjet e munguara në drejtim të arritjes së barazisë gjuhësore”, deklaroi Mexhiti.
Ai rikujtoi se për më shumë se dy dekada, përkatësisht nga viti 2002 deri në vitin 2024, provimet profesionale, proceset e licencimit dhe format e tjera të avancimit profesional në institucionet shtetërore janë zhvilluar vetëm në gjuhën maqedonase, pavarësisht gjuhës në të cilën kandidatët kishin përfunduar studimet.
“Sot kemi një realitet ndryshe”, u shpreh Mexhiti, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap përpara në drejtim të barazisë gjuhësore në vend.

