Nënshkruhet Deklarata e Shkupit për pjesëmarrje më të madhe të grave në diplomacinë energjetike

Nënshkruhet Deklarata e Shkupit për pjesëmarrje më të madhe të grave në diplomacinë energjetike

Deklarata e Shkupit për rritjen e pjesëmarrjes së grave në diplomacinë energjetike është nënshkruar sot në kuadër të Forumit të parë të Diplomacisë Energjetike, me temë “Burimet e Energjisë së Rinovueshme dhe Gratë në Energjetikë”.

Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, para nënshkrimit të deklaratës theksoi se Shkupi po përcjell një mesazh për bashkëpunim, partneritet dhe përgjegjësi të përbashkët në përballjen me sfidat e së ardhmes energjetike.

“Nga Shkupi sot dërgojmë mesazh për diplomacinë që lidh, për partneritetet që zgjasin dhe përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen. Diplomacia energjetike na jep mundësinë t’i shndërrojmë interesat tona në qëllime të përbashkëta dhe qëllimet tona në rezultate konkrete”, deklaroi Bozhinovska.

Ajo theksoi se e ardhmja e sektorit të energjisë nuk mund të ndërtohet pa përfshirjen aktive të grave, të cilat me njohuritë, përvojën dhe aftësitë e tyre mund të luajnë rol të rëndësishëm në proceset vendimmarrëse.

Sipas saj, gratë duhet të kenë rol aktiv në përcaktimin e prioriteteve, negociata, krijimin e partneriteteve dhe marrjen e përgjegjësive për rezultatet.

“Ne nuk po flasim vetëm për përfaqësim, por për ndikim. Kur më shumë gra marrin pjesë në vendimmarrje, institucionet forcohen me njohuri dhe kompetenca shtesë, ndërsa vendimet përfitojnë nga përvoja dhe perspektivat e ndryshme. Është përgjegjësia jonë të hapim rrugën për brezin e ardhshëm të inxhiniereve, eksperteve dhe udhëheqëseve”, theksoi ministrja.

Bozhinovska shtoi se Deklarata e Shkupit përfaqëson një angazhim të përbashkët për forcimin e sigurisë energjetike, avancimin e tranzicionit të qëndrueshëm energjetik dhe rritjen e rolit udhëheqës të grave në këtë sektor.

MARKETING