(VIDEO) Përdorimi i shqipes dhe jurisprudenca, Ahmeti letër Shasivarit: Respektoje shqipen dhe mos manipulo me Venecian

(VIDEO) Përdorimi i shqipes dhe jurisprudenca, Ahmeti letër Shasivarit: Respektoje shqipen dhe mos manipulo me Venecian

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i ka drejtuar një letër të hapur dhe të gjatë ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke kërkuar respektimin e gjuhës shqipe dhe mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore profesionale edhe në gjuhën shqipe. Ahmeti thotë se kjo e drejtë garantohet me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe kritikon Qeverinë për, siç shprehet, përpjekjet për kufizimin e saj. Ai kundërshton edhe mundësinë që provimi të zhvillohet pjesërisht në shqip e pjesërisht në maqedonisht, duke e cilësuar një zgjidhje të tillë si prapakthim në të drejtat gjuhësore.

ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË

“Z. Shasivari, ju bëj thirrje që të tregoni përgjegjësi politike, institucionale dhe kombëtare. Të hiqni dorë nga çdo përpjekje për të tkurrur të drejtat gjuhësore të shqiptarëve dhe të ndalni iniciativat që synojnë relativizimin dhe degradimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”.

Ahmeti i bën thirrje ministrit Shazivari që të mos manipuloni me pritjet e opinionit publik dhe të mos prezantojë para Komisionit të Venecias zgjidhje që janë në kundërshtim me ligjin në fuqi, duke i paraqitur ato si avancim të të drejtave gjuhësore.

Gjithashtu, Ahmeti kërkonë edhe nga Qeveria, që siç thotë, të sigurojë zbatimin e plotë dhe konsekuent të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha organet dhe institucionet që ushtrojnë autorizime publike.

ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË

“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk është çështje e vullnetit të një ministri, të një qeverie apo të një shumice parlamentare. Ai është ligj në fuqi dhe duhet të zbatohet. Çdo zgjidhje në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës që bie ndesh me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve nuk mund të prodhojë një bazë të qëndrueshme juridike”.

Ahmeti thotë në letër se shteti i së drejtës nuk ndërtohet duke negociuar zbatimin e ligjeve sipas interesave të pushtetit, por duke i respektuar ato me konsekuencë dhe pa përjashtim. Ai thekson se kjo nuk është kërkesë për të drejta të reja, por për zbatimin e një të drejte që tashmë është e garantuar me ligj. Në letër, Ahmeti paralajmëron se për këtë çështje do t’u drejtohet edhe garantuesve ndërkombëtarë të Marrëveshjes së Ohrit, SHBA-së, BE-së dhe NATO-s, si dhe autoriteteve në Tiranë e Prishtinë.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING