(VIDEO) Qytetarët sollën shqipen te “Oaza e Butelit”

(VIDEO) Qytetarët sollën shqipen te “Oaza e Butelit”

Tabela në Mega Parkun e Butelit më në fund “flet” edhe shqip, por jo falë Komunës së Butelit. Pas reagimeve dhe kërkesave për vendosjen e mbishkrimit edhe në gjuhën shqipe, këtë e bënë vetë qytetarët, duke plotësuar atë që duhej ta kishte bërë komuna. “Oaza e Butelit” është shkruar edhe shqip. Të parët që përshëndetën këtë iniciativë ishin këshilltarët të Aleancës Kombëtare për Integrim. Ata madje kanë mbajtur edhe konferencë për media në vendin e ngjarjes, nga ku, Armend Murseli, tha se me këtë veprim jo vetëm që plotësohet një obligim ligjor, por njëkohësisht sigurohet që qytetarët shqiptarë të lexojnë në këtë hapësirë publike edhe në gjuhën e tyre amtare, e që kjo, tha se përbën krenari për ta.

ARMEND MURSELI, KËSHILLTAR I AKI-SË NË KOMUNËN E BUTELIT

“Atë që e bënë qytetarët, në fakt, duhej ta bënin Komuna e Butelit dhe Qyteti i Shkupit. Dhe shtrohet një pyetje e thjeshtë: Pse duhej të krijohej gjithë kjo situatë? Pse duhej të arrihej deri te ky veprim, kur gjithçka mund të zgjidhej në mënyrën më të thjeshtë dhe institucionale, pa nxitur ndarje, pa diskriminuar dhe pa cenuar ndjenjat e asnjë qytetari?”.

Respektimi i gjuhës shqipe, Murseli tha se nuk i merr asgjë askujt, por përkundrazi, ai u jep të gjithëve atë që u takon dhe dëshmon se bashkëjetesa ndërtohet mbi barazinë, respektin dhe zbatimin e ligjit. Megjithatë, ai tha se ky veprim është në përputhje me ligjin. Ndërsa institucionet dhe personat përgjegjës që nuk e kanë zbatuar atë duhet të japin llogari për mosveprimin e tyre.

ARMEND MURSELI, KËSHILLTAR I AKI-SË NË KOMUNËN E BUTELIT

“Me këtë rast, rikujtojmë nenin 1, paragrafin 3, të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili përcakton se në njësitë e vetëqeverisjes lokale, gjuha që flitet nga së paku 20 për qind e qytetarëve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase. Po ashtu, neni 16 i këtij ligji parasheh përdorimin e të dyja gjuhëve në emërtimet e rrugëve, shesheve, parqeve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në komunat përkatëse”.

Këshilltarët komunal madje ju drejtuan në formë të këshillës edhe kryetarit të qyetetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski dhe kryetarit të komunës së Butelit, Darko Kostovskit, duke theksuar se kjo është tabela duhej të ishte vendosur që në fillim, pasi e njejta sipas tyre, është tabela që respekton ligjin, barazinë dhe qytetarët dhe jo ajo të cilën e kanë vendosur dhe promovuar ata duke anashkaluar gjuhën shqipe.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING