(VIDEO) Debat në Shenja, deputetet Pasholli dhe Musa përplasen për përdorimin e shqipes

(VIDEO) Debat në Shenja, deputetet Pasholli dhe Musa përplasen për përdorimin e shqipes

Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, ka kritikuar mënyrën e përdorimit të gjuhëve nga zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, gjatë mbledhjes së Këshillit Nacional për Integrime Evropiane. E ftuar në emisionin “Debat në SHENJA”, ajo tha se është e papranueshme që një ditë pas manifestimit madhështor për Ditën e Alfabetit, Sali gjatë një mbledhjeje institucionale fillimisht të mbajë fjalimin në gjuhën maqedonase dhe më pas ta përsërisë të njëjtin fjalim në gjuhën shqipe.

Po ashtu ajo ka zbuluar edhe një deklaratë të një deputeteje të VMRO-DPMNE-së, e cila, sipas saj, gjatë një takimi me Komisionerin e Lartë për Pakicat Kombëtare në Kuvend, ka thënë se koha e Marrëveshjes së Ohrit ka përfunduar. Palloshi theksoi se këtë qëndrim nuk e kishte shprehur ndonjë përfaqësues i VLEN-it, por një deputete e VMRO-DPMNE-së.

Arbana Pasholli, Deputete e BDI-së

“T’ju jap një informacion tjetër. Në takimin me Komisionerin e Lartë për Pakicat Kombëtare që patëm në Kuvend, një prej temave ishte edhe kjo çështje. Nëse dëshironi, mund ta hapim edhe në Komitetin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Edhe njëra prej deputeteve të VMRO-DPMNE-së tha: ‘Ka përfunduar koha e Marrëveshjes së Ohrit, është arritur qëllimi dhe ka ardhur koha e meritokracisë’. Nuk ishte asnjë prej përfaqësuesve të VLEN-it që e dha këtë deklaratë, por e dha deputetja e VMRO-DPMNE-së”.

Nga ana tjetër, deputetja e VLEN-it, Mimoza Musa, i është kundërpërgjigjur kritikave të deputetes së BDI-së, Arban Pasholli, lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe nga zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, gjatë mbledhjes së Këshillit Nacional për Integrime Evropiane. Nga e njëjta studio Musa tha se funksionarët e BDI-së edhe gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet kanë zgjedhur të komunikojnë në gjuhën maqedonase në takime bilaterale, madje edhe në rastet kur nuk ka pasur palë të treta të pranishme.

Mimoza Musa, Deputete e VLEN-it

“Ne jemi vetë dëshmitarë se në takime bilaterale, kur ka pasur funksionarë të BDI-së, kanë zgjedhur që mes vete të komunikojnë në gjuhën maqedonase. Domethënë, ne nuk mundemi për raste specifike të lidhemi dhe të themi se këta po e anashkalojnë gjuhën shqipe. Gjuha shqipe në vazhdimësi është anashkaluar nga funksionarët e BDI-së. Kemi shumë raste të funksionarëve të BDI-së, pa dashur të përmend emra, i kemi të faktuara edhe me video, ku edhe mes vete, pa palë të tjera, janë drejtuar në gjuhën maqedonase”.

Ndërkaq Musa, e ka cilësuar si ngjarje të trishtë dënimin me burgim me kusht të 18-vjeçarit nga Kumanova, i cili u dënua për shkak të valëvitjes së flamurit kombëtar gjatë vitit të kaluar. Musa tha se asnjë qytetar nuk duhet të dënohet për përdorimin e një simboli kombëtar, duke theksuar se ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Ajo rikujtoi edhe raste të mëhershme, kur, sipas saj, të rinj shqiptarë janë përballur me dënime edhe më të rënda për veprime të ngjashme.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING