(VIDEO) Krerët e Qeverisë dhe partive politike urojnë ditën e Alfabetit

(VIDEO) Krerët e Qeverisë dhe partive politike urojnë ditën e Alfabetit

Ditën e Alfabetit shqip e kujtuan dhe uruan krerët e shtetit dhe përfaqësuesit politik. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u ka përcjellë urime pjesëtarëve të komunitetit shqiptar duke theksuar se gjuha është themeli i identitetit kombëtar dhe i kujtesës kolektive të një populli.

Gordana SIljanovska Davkova, presidente

“Të dashur bashkëqytetarë shqiptarë, 22 Nëntori është një datë, rëndësia e së cilës tejkalon simbolikën e një përvjetori historik. Ai është dëshmi e një vizioni kombëtar dhe e vetëdijes për një identitet të veçantë, themeli i të cilit është alfabeti i standardizuar shqip”.

Manastiri u bë vendi ku rilindësit shqiptarë bashkuan dijen, vizionin dhe përkushtimin për një qëllim të përbashkët. Vendimi i tyre ishte më shumë se një arritje gjuhësore. Kështu shprehet kryetari i Kuvendit Afrim Gashi.

Afrim Gashi, kryetar Kuvendit

“Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit e vlerësoj këtë ditë si një moment reflektimi mbi përgjegjësinë tonë të përbashkët për të garantuar barazinë, respektimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor, përfaqësimin e drejtë dhe mundësitë e barabarta për të gjithë”.

Bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti shprehet se një alfabet i përbashkët bëri të mundur që një libër i shkruar në njërin skaj të hapësirës shqiptare të lexohej në tjetrin. Kjo është një nga mënyrat më të thjeshta për ta kuptuar çfarë ndryshoi Kongresi i Manastirit për shqipen.

Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN

“Ta nderojmë punën e atyre që na dhanë alfabetin do të thotë të kujdesemi për shqipen që mësojnë fëmijët tanë, për librat që lexojnë dhe për vendin që gjuha jonë zë në jetën publike”.

Ndërkohë bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, Bilall Kasami tha se mesazhi i Festave të Nëntorit është: të shkruajmë të ardhmen, në gjuhën tonë.

Bilall Kasami

“Nderuam rrugën që na e trasuan rilindësit tanë më 22 nëntor 1908, në Manastir. Gjuha shqipe duhet të ketë vendin që i takon në shkollë, në institucione dhe në jetën publike të këtij vendi”.

Kurse kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, u shpreh se 22 Nëntori është ditë krenarie dhe kujtese kombëtare.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së

“Kongresi i Manastirit i vitit 1908 i dha gjuhës shqipe alfabetin e njësuar, duke shënuar një kthesë historike për identitetin, arsimin dhe kulturën tonë. Ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta afirmojmë gjuhën shqipe si vlerë të shenjtë të identitetit tonë kombëtar”.

E kryetari i Lidhjes Shqiptare Ziadin Sela theksoi se sot shënojmë një nga ditët më të lavdishme të historisë sonë Kombëtare, ditën kur shqiptarët u bënë bashkë në shkrim e lexim.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

MARKETING