Rama nga Qafë Thana: Më pak kontrolle dhe më shumë besim mes dy vendeve

Rama nga Qafë Thana: Më pak kontrolle dhe më shumë besim mes dy vendeve

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kanë promovuar sistemin e integruar të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Mekanizmi i ri synon të shkurtojë kohën e pritjes dhe të lehtësojë qarkullimin e udhëtarëve dhe mallrave mes dy vendeve.
Gjatë takimit Mickoski u shpreh se synimi është zgjerimi i këtij bashkëpunimi edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar, për të përmirësuar ndërlidhjen mes dy vendeve dhe për të nxitur turizmin, veçanërisht atë liqenor dhe detar.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një hap konkret me ndikim për miliona njerëz që lëvizin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Po hedhim një hap konkret që ka efekt pozitiv për miliona njerëz që lëvizin këtu. Ishim më herët te ‘kontrollo-kontrollo’, tani kaluam te ‘kontrollo-beso’, pastaj kalojmë në fazën tjetër, ‘beso-beso’”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare e vlerësoi këtë moment si një fazë pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për projektet e përbashkëta.

“Sot jemi në një moment jashtëzakonisht pozitiv në marrëdhëniet tona, sepse hedhim një hap konkret me këtë transformim që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Jemi në një proces bashkëpunimi, ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku dhe pa diskutim njëra ndër to është që të punojmë për ta çuar përpara projektin madhor”, deklaroi Rama.

I pyetur nga gazetarët për procesin e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut, Rama u shpreh se ka qenë vazhdimisht mbështetës i afrimit të këtij vendi me Bashkimin Europian.

“Unë kam qenë në mënyrë të vijueshme, ndonjëherë edhe me zë të lartë, në mbështetje të procesit të afrimit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e projekteve të përbashkëta, duke veçuar Korridorin VIII, të cilin e cilësoi një projekt madhor jo vetëm për integrimin europian, por edhe për NATO-n.

MARKETING