Çairi feston Nëntorin: Gjashtë ditë aktivitete kulturore dhe artistike në shënim të Ditës së Alfabetit, Ditës së Flamurit dhe 20-vjetorit të bustit të Skënderbeut
Komuna e Çairit, nga 23 deri më 28 nëntor 2026, organizon manifestimin tradicional “Çairi feston Nëntorin – 20 Vjet Krenari”, me një program gjashtëditor që përfshin aktivitete arsimore, kulturore dhe artistike. Festimet e këtij viti i kushtohen Ditës së Alfabetit, Ditës së Flamurit dhe 20-vjetorit të vendosjes së bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në sheshin që mban emrin e tij në Shkup.
Programi festiv do të nisë më 23 nëntor, në orën 18:00, me programin artistik të shkollave fillore të Çairit në Teatrin Shqiptar, ndërsa më 24 nëntor, në orën 12:00, do të shënohet 20-vjetori i Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”. Më 25 nëntor, në orën 19:00, do të mbahet mbrëmja me këngë qytetare me Miranda Hashanin dhe Selami Kolonjën, ndërsa më 26 nëntor, në të njëjtën orë, do të organizohet koncerti i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve. Më 27 nëntor, në orën 20:00, në Filharmoninë e RMV-së do të mbahet koncerti i Rona Nishliut me New Orchestra.
Manifestimi qendror do të mbahet më 28 Nëntor, në orën 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, nën moton “20 Vjet Krenari”, në shënim të Ditës së Flamurit dhe dy dekadave nga vendosja e bustit të heroit kombëtar. Programi do të përfshijë interpretim poetik nga Çun Lajçi, këngë kushtuar Skënderbeut, valle tradicionale shqiptare, performancë me çifteli, video të veçantë për 20-vjetorin dhe aktivitete festive me të rinjtë. Manifestimi do të shoqërohet edhe me koncertin festiv të këngëtares Edona Llalloshi.
Përmes këtij programi, Komuna e Çairit synon të shënojë datat e rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, duke përfshirë institucionet arsimore, artistët dhe qytetarët në një kalendar të përbashkët aktivitetesh. Të gjithë qytetarët ftohen të marrin pjesë në manifestimet festive që do të zhvillohen gjatë gjashtë ditëve të Nëntorit.
Bashkëngjitur këtij emaili ju përcjellim edhe programin e plotë të aktiviteteve festive, si dhe programin e manifestimit qendror të 28 Nëntorit.

