Zvicra përgatitet për protesta të mëdha të të rinjve më 20 nëntor, policia shton masat e sigurisë në qytetet kryesore

Zvicra përgatitet për protesta të mëdha të të rinjve më 20 nëntor, policia shton masat e sigurisë në qytetet kryesore

Qytetet e Zvicrës kanë nisur përgatitjet për protestat e paralajmëruara të së premtes, më 20 nëntor, ku pritet të marrin pjesë të rinj nga disa rajone të vendit.

MARKETING

Shik.mk

Sipas gazetës zvicerane Blick, demonstratat do të zhvillohen në Bazel, Cyrih, Bernë, në kantonin e Ticinos dhe në Zvicrën frankofone.

Protestat janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë evropiane të të rinjve, të cilët kundërshtojnë rritjen e shpenzimeve për armatim dhe masat e ashpra të kursimit që prekin sektorë të ndryshëm publikë.

Në Bazel, autoritetet kanë dhënë leje për organizimin e demonstratës dhe kanë miratuar edhe itinerarin e marshimit, i cili do të nisë nga Elisabethenanlage, do të vazhdojë përmes Barfüsserplatz dhe Urës së Mesme të Renit, për të përfunduar në Theodorskirchplatz.

Ndërkohë, në Cyrih kërkesa për autorizim ende ishte në shqyrtim, transmeton Telegrafi.

Policia zvicerane po përgatitet për zhvillimet e mundshme, duke marrë parasysh edhe trazirat e 31 tetorit në Cyrih, kur protestat përfunduan me përplasje dhe dëme materiale. Bizneset në Bazel janë informuar paraprakisht për demonstratat dhe rreziqet e mundshme.

Organizatorët kanë deklaruar se protestat synojnë të zhvillohen në mënyrë paqësore, ndërsa përfaqësuesit e organizatave të të rinjve kanë hedhur poshtë akuzat se po nxisin dhunë.

Deri tani, autoritetet nuk kanë prova se persona të dhunshëm nga jashtë vendit po planifikojnë të udhëtojnë drejt Zvicrës për të marrë pjesë në protesta./Telegrafi/

 

MARKETING