(VIDEO) Propozimi për provimin e jurisprudencës, Ziberi: Një hap serioz drejtë zgjidhjes së problemit, por nuk e zgjidh atë në tërësi
“Ligji aktual nuk e përcakton gjuhën në të cilën jepet provimi i jurisprudencës, nuk thotë se provimi organizohet dhe mbahet në gjuhën maqedonase”. Këtë e deklaroi për Televizionin SHENJA, juristi Naser Ziberi, ndërsa theksoi se studentët shqiptarë po kërkojnë që ta mbajnë në gjuhën shqipe, ndërsa kryeministri këmbëngul se ligji e lejon mbajtjen e provimit, gjegjësisht pjesën praktike, vetëm në maqedonisht. Madje ai thekson se ligji thotë se detajet për rregullimin e organizimit, mbajtjes dhe certifikimit të provimit të jurisprudencës, rregullohen me akt nënligjor, ndërsa edhe vet akti nënligjor nuk rregullon gjuhën në të cilën jepet provimi.
Për propozimin e ministrit të Drejtësisë për provimin e jurisprudencës, Ziberi konsideron se është një hap serioz drejt zgjidhjes së problemit, por nuk e zgjidh atë në tërësi.
Naser Ziberi, jurist
“E avancon çështjen e organizimit dhe dhënien e provimit të jurisprudencës, por nuk e zgjidh në tërësi. Në politikë, nuk ka zgjidhje të cilat janë më të mirat, janë zgjidhje kompromisi, të cilat në momentin e caktuar varësisht nga raporti i forcave jepet një propozim i caktuar, i cili mund të pranohet nga të dy palët. Zaten edhe vet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, tre herë është ndryshuar, respektivisht dy herë është sjellë ligji i ri, në vitin 2008 dhe në vitin 2018, ndërsa në vitin 2011, ligji i vitit 2008 është amanduar “.
Ndërsa, dërgimi i ligjeve në Komisionin e Venedikut, ai vlerëson se tek ne kjo është bërë modë. Kjo bëhet siç thotë ai, që forcat politike ta heqin barrën nga vetja.
Naser Ziberi, jurist
“Çështja e supervizionit në Maqedoni dhe jo vetëm në Maqedoni kam përshtypjen se është bërë modë. Shpeshherë kjo bëhet për ta hequr barrën e përgjegjësisë së aktorëve politik ose për të dhënë argumente plotësuese për kundërshtarët politik. Mendoj se çdo propozim nuk ka nevojë që të çohet në supervision në Komisionin e Venedikut”.
Studentët, shto ai, janë në të drejtën e trye që duan zgjidhje të plotë. Por, thekson se çdo student i Fakultetit Juridik, i cili pretendon që të merret me profesionin avokat, prokuror, gjykatës, noter, përmbarues, ndërmjetësues, duhet dhe është e domosdoshme që ta dinë edhe gjuhën maqedonase, sepse ato nuk kanë palë vetëm shqiptarë, por kanë edhe palë të përkatësisë etnike maqedonase.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

