(VIDEO) Xhemaili: RMV duhet të orientohet drejt Kosovës, Shqipërisë dhe jo Serbisë
“Ndryshim të orientimit ekonomik dhe politik të Maqedonisë së Veriut, me fokus te bashkëpunimi me Kosovën dhe Shqipërinë dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian, e jo te Serbia”, ka deklaruar drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit nga VLEN, Refik Xhemaili. Ai iu referua shifrave të investimeve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, duke theksuar se investimet nga Kosova dhe Shqipëria së bashku arrijnë në 7.54 milionë euro pra 3.5 herë më të larta se ato nga Serbia, nga ku këtë e vlerëson si një tregues të rëndësishëm të potencialit ekonomik të bashkëpunimit shqiptar.
Refik Xhemaili, drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit
“Ky është një tregues i rëndësishëm i potencialit ekonomik të bashkëpunimit shqiptar. Për ne, këto nuk janë vetëm statistika. Janë dëshmi se lidhjet ekonomike me Kosovën dhe Shqipërinë kanë hapësirë të madhe për zhvillim dhe se duhet të mbështeten me politika konkrete. Për vite me radhë, qytetarët dëgjuan për Ballkanin e Hapur, për takime, deklarata dhe fotografi politike. Sot, ne kërkojmë që bashkëpunimi rajonal të matet me rezultate konkrete, me investime, me rrugë të lidhura, me kufij të hapur dhe me mundësi më të mëdha për bizneset dhe qytetarët”.
Ai thotë se nuk kanë nevojë për projekte që prodhojnë fotografi politike, por për projekte që prodhojnë zhvillim ekonomik, duke theksuar se orientimi tyre është Procesi i Berlinit, integrimi evropian dhe forcimi i lidhjeve me Kosovën dhe Shqipërinë.
Refik Xhemaili, drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit
“Në këtë kontekst e konsiderojmë të rëndësishëm edhe faktin që raporti i fundit i Komisionit Evropian nuk e përmend termin “Bota serbe”, ndërsa vëmendje i kushton më shumë Procesit të Berlinit dhe projekteve të ndërlidhjes rajonale. Një nga dëshmitë konkrete të kësaj qasjeje është projekti “One Stop Shop” me Kosovën si dhe angazhimi për pesë pika të përbashkëta kufitare hyrje- hyrje me Shqipërinë, Korridori 8 si arterie e madhe që lidhë shqiptarët mes veti. Kjo është politika që qytetarët e kuptojnë dhe e ndiejnë: më pak pritje në kufi, më shumë qarkullim, më shumë tregti dhe më shumë mundësi ekonomike”.
Ai thekson se ndryshimi nuk është vetëm në orientimin ekonomik, por edhe në mënyrën se si trajtohen marrëdhëniet me biznesin dhe përgjegjësia institucionale. Nga VLEN thonë se nuk pranojnë lidhje të politikës me interesa të dyshimta biznesore, ndërsa kërkojnë që BDI të japë përgjigje për akuzat e ngritura ndaj funksionarëve të saj. Sipas Xhemailit, suksesi nuk matet me takime dhe deklarata politike, por me investime konkrete, projekte dhe përfitime për qytetarët, duke theksuar se qëndrimi i tyre mbetet zero tolerancë ndaj korrupsionit.
Anida Murati /SHENJA/

