Mustafa: Gjykata Kushtetuese është shndërruar në organ për zbatim të politikave ditore
Avokati Milazim Mustafa ka kritikuar punën e Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se ky institucion është shndërruar në një organ që zbaton politika ditore, me atë që ai i cilësoi si tone shoviniste ndaj të drejtave të komunitetit të dytë më të madh në vend.
Duke folur sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, Mustafa shprehu shqetësimin për mënyrën e marrjes së vendimeve në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se në çështjet e ndjeshme që lidhen me të drejtat e bashkësive, votimet shpesh ndahen sipas përkatësisë etnike të gjykatësve.
Ai përmendi disa raste kur, sipas tij, votimet kanë përfunduar me rezultat 6:3 ose 5:3, ku gjykatësit maqedonas kanë votuar në njërën anë, ndërsa gjykatësit shqiptarë në anën tjetër.
“Gjykata është shndërruar në një organ të zbatimit të politikave ditore, fatkeqësisht me tone shoviniste, sa i përket të drejtave të komunitetit të dytë më të madh në vend. Edhe njëherë në emisionin tuaj e kam përmendur faktin se më shqetëson shumë që vendimet që i sjell Gjykata Kushtetuese merren mbi baza etnike. Kemi pasur shumë raste kur, për tema sensitive që kanë të bëjnë me çështjet e bashkësive, kemi pasur votime 6:3 apo 5:3, ku gjykatësit maqedonas kanë votuar në njërën anë, ndërsa gjykatësit shqiptarë në anën tjetër. Çfarë drejtësie mund të presim në këto rrethana?”, deklaroi Mustafa.

