(VIDEO) Hodai: Ofendim është privilegjimi i deputetëve dhe nënvlerësimi i studentëve
“Ofendim është privilegjimi i deputetëve dhe nënvlerësimi i studentëve, jo thënia e së vërtetës ndaj pushtetit”. Kështu deklaron kryetari i Forumit për Ndryshime në Arsim, Blendi Hodai i ftuar në emisionin “IMPAKT” në TV SHENJA, nga ku poashtu ka reaguar edhe ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke thënë se kritikat e tij nuk përbëjnë ofendim. Ai thotë se ofendim është që t’i nënvlerësosh çdo ditë e më shumë studentët. Hodai ka përmendur privilegjet e deputetëve, çmimet e ushqimit dhe trajtimin e studentëve, duke theksuar se nënvlerësim i qytetarëve nga ana e pushtetarëve duhet të fillojë të marrë fund.
Blendi Hodai, Kryetar i Forumit për Ndryshime në Arsim
“Unë kur e pashë dje deklaratën e kryeministrit u habita për faktin se sa i ofenduar paska qenë nga ofendimet që i paskemi bërë për të, që siç thashë edhe njëherë, nuk ka asnjë ofendim. Ofendim është të hash oriz 30 denarë dhe studenti të hajë oriz 80 denarë. Kjo është ofendim. Ofendim në të njëjtën kohë është edhe të fillosh karrierën tënde akademike si asistent i babait tënd. Kjo është ofendim për të gjithë studentët që janë të aftë, ofendim për të gjithë profesorët që janë me integritet. Nuk është ofendim në qoftë se e themi të vërtetën”.
Tutje ai ka kritikuar edhe privilegjet që gëzojnë deputetët në Kuvend, veçanërisht çmimet e subvencionuara të ushqimit, duke i krahasuar ato me çmimet që paguajnë studentët. Ai thotë se ky diferencim i këtyre çmimeve bëjnë që deputet të humbasin kontaktin me realitetin.
Blendi Hodai, Kryetar i Forumit për Ndryshime në Arsim
“Ju e dini çfarë benefite kanë deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, marrin mbi 2000 euro rrogë, marrin harxhime rrugore dhe shkojnë në restorantin, në byfenë e Kuvendit dhe marrin për shembull stek pule është 115 denarë. Unë nuk e di ku ka në Shkup apo cilindo qytet të Maqedonisë së Veriut stek pule 115 denarë. Oriz 30 denarë”.
Ndërkaq ai ka lënë të hapur edhe mundësinë që në të ardhmen të jetë pjesë e një liste rinore në zgjedhjet parlamentare. Ai thekson se në qoftë se kritikon tërë kohën, e sheh të rrugës që në një të ardhme afatgjatë apo afatshkurtër të tregojë se realisht atë që ka kritikuar mund ta realizojë dhe ta implementojë.
Anida Murati /SHENJA/

