“Kjo gënjeshtër nuk ju kalon”, BDI i përgjigjet VLEN-it për rastin e Alta Bankës
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë reaguar pas akuzave të partisë në pushtet VLEN, se se gjatë qeverisjes BDI-LSDM në vitin 2023 i është hapur rruga hyrjes së ALTA Bankës në Maqedoni.
Sipas Integristëve, vendimi i tyre ka patur për qëllim të kundërtën, pra të mos lejohet shitja pa autorizim e pronës së RMV-së.
“Pretendimet që po bëhen për vendimin e vitit 2023 janë një gënjeshtër e plotë dhe një manipulim i paskrupullt!
Përkundrazi, vendimi i vitit 2023 kishte pikërisht qëllimin e kundërt: të mos lejohej shitja pa autorizim e pronës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kjo është krejtësisht e kundërta e asaj që bën Qeveria e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it në vitin 2025, kur me vendimin e saj i obligon institucionet e shtetit të vihen në shërbim të hyrjes së Alta Bankës dhe Davor Macurës në Stopanska Banka – Manastir.
Pra, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për të njëjtën çështje, por për dy vendime me qëllime diametralisht të kundërta. Njëri mbronte pronën shtetërore, ndërsa tjetri vë institucionet e shtetit në shërbim të një transaksioni privat.
Kot tentoni të na e faturoni neve atë që e keni bërë vetë. Përgjegjësinë mbajeni vetë, sepse kjo gënjeshtër dhe kjo lojë e ulët politike nuk ju kalon! “, thuhet në reagimin e BDI-së.

