(VIDEO) Debat i ashpër në komisionin e financave për Alta Bankën
Seanca e sotme mbikqyrëse e komisionit për financim dhe buxhet në kuvend, në të cilën gjatë debatit duhej të sqaroheshin arsyet e vendosjes së administrimit në ALTA Bankë, roli i bankës popullore dhe përgjegjësia institucionale u shndërrua në një arenë përplasjesh politike. Kryeministri Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve për përgjegjësi politike lidhur me ALTA bankën zgjodhi që ta kthejë debatin disa vite pas, duke rikujtuar vendimet e qeverisë së kaluar dhe duke ia drejtuar gishtin ish kryeministrit Dimitar Kovaçevski. Mickoski tha se përgjegjësia për raportet e para me Alta Bankën duhet kërkuar që në vitin 2023 , atëherë kur Ministria e Financave kishte kërkuar nga Avokatura Shtetërore miratimin për të hyrë në marrëdhënie afariste me Alta Bankën në Beograd. Sipas tij, kjo ishte evidentuar në procesverbalet e mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 24 tetor 2023.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe kompanisë serbe Alta Banka në vitin 2023, në mbledhjen në të cilën është diskutuar dhe është dhënë autorizim Avokatit të Popullit që ti tjetërsojë aksionet e Alta Bankës në pronësi të Qeverisë së Maqedonisë, të pranishëm kanë qenë, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ministri i Financave Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, ndërsa nga radhët e LSDM-së, ish kryetari i Qeverisë Dimitar Kovaçevski, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Transportit Bllagoj Boçvarski, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, Bujar Osmani, Lupço Nikollovski etj”.
Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe në pres konferencën për media akuzoi kryeministrin për gënjeshtra duke theksuar se paraqitja e rreme e dokumenteve qeveritare gjatë seancës ngre dyshime shtesë se kryeministri po përpiqet të fshehë përgjegjësinë e tij dhe t’ia bartë fajin qeverisë së mëparshme. Ai i bëri thirrje Prokurorisë Themelore Publike që të hetojë rolin e kryeministrit Hristijan Mickoski në hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Kryeministri sot, gjatë seancës dëgjimore mbikëqyrëse, tha një gënjeshtër flagrante. Ai gënjeu duke pretenduar se qeveria e LSDM-së, në vitin 2023, kishte marrë vendim për të hyrë në marrëdhënie biznesore, po e citoj me “Alta Bankën e Serbisë”. Davor Macura, në vitin 2023, nuk kishte marrë pëlqimin nga qeveria jonë e udhëhequr nga LSDM-ja për të blerë aksionet që i përkisnin Ministrisë së Financave të Maqedonisë.” “Sipas ligjit serb, kur dikush zotëron mbi 90 për qind të aksioneve, automatikisht i blen edhe aksionet e aksionarëve të tjerë, pa pëlqimin e tyre, siç kemi qenë ne, përkatësisht Ministria jonë e Financave. Pra, Davor Macura, në përputhje me rregullat e Bursës së Beogradit, i blen aksionet e Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut pa pëlqimin e saj, sepse nuk ka nevojë për të.”
Filipçe theksoi se dokumenti që Mickoski kishte paraqitur në seancën mbikëqyrëse ka përmbajtje krejtësisht të ndryshme nga ajo që kryeministri i kishte prezantuar më parë publikut.
Guvernatori i bankës popullore Trajko Sllaveski gjatë fjalimit të tij deklaroi se për të gjithë personat janë kryer të gjitha kontrollet e nevojshme përmes platformave ndërkombëtare globale, nëpërmjet të cilave tha ai, mund të merren informacione për përfshirjen e tyre.
Ndërkaq deputetja e LSDM-së Sanja Llukarevska kërkoi dorëheqjen e guvernatorit Sllaveski nën arsyetimin se guvernatori po e cenon një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit dhe se i vetmi hap i përgjegjshëm që duhet të ndërmarrë është të japë dorëheqje.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

