(VIDEO) BP: Hapen sportelet e Alta Bankës në Tetovë dhe Strumicë
Banka Popullore e RMV-së ka njoftuar se që nga dita e sotme janë hapur sportelet e bankës ALTA edhe në Tetovë dhe Strumicë, krahas sporteleve në Manastir. Ata bëjnë të ditur se në këto sportele qytetarët që nuk kanë kartela bankare mund të tërheqin deri në 20.000 denarë.
BANKA POPULLORE E RMV-SË
“Pagesa e mjeteve në të tre qytetet po zhvillohet pa pengesa dhe sipas orarit të përcaktuar. Në degën e Strumicës, në fillim të ditës së punës pati një vonesë të shkurtër për shkak të organizimit logjistik, pas së cilës pagesat vazhduan sipas dinamikës së paraparë”.
Nga BP theksuan se nga kjo javë rritet limiti javor për tërheqjen e parave të gatshme dhe pagesat në pikat e shitjes me kartelat bankare nga 10.000 në 15.000 denarë.
Ndërkaq nga prokuroria themelore publike lidhur me çështjen e ALTA Bankës kanë deklaruar se Prokuroria Publike ngre lëndë bazuar në prova dhe jo në bazë të kërkesave të partive politike.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me atë se opozita këmbëngul për hapjen e një hetimi nga ana e Prokurorisë tha se nuk do të realizohen skenarët e zinj të LSDM-së, se banka do të shpëtohet dhe se do të vazhdojë të funksionojë. Mickoski bëri të ditur se do të kemi një institucion financiar, kryesisht një bankë që do të jetë pronare e Alta Bankës.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

