Bujar Osmani për rikthimin e Mexhitit në BDI: Të bëhemi bashkë për ta ndalur hovin e poshtërimit shqiptar
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, sonte në emisionin “Debat në SHENJA” është pyetur nga moderatori lidhur me mundësinë e rikthimit të Izet Mexhitit në BDI.
Në përgjigjen e tij, Osmani nuk dha një qëndrim të drejtpërdrejtë për rikthimin e Mexhitit, por bëri thirrje që të gjithë ata që, sipas tij, kundërshtojnë zhvillimet aktuale politike dhe atë që e cilësoi si “hov të poshtërimit shqiptar”, t’i bashkohen një fronti të përbashkët.
Ai theksoi se ky front ka nisur në Bërvenicë dhe do të vazhdojë të kundërshtojë politikat që, sipas tij, cenojnë pozitën e shqiptarëve.
“Unë thashë, të gjithë ata të cilët e kanë parë këtë katastrofë me sy e me vesh dhe dalin prej atje, dëgjoni me vëmendje se e kanë prej zorit. Edhe kanë çka tregojnë. Në këtë drejtim, secili që mendon se duhet ta ndalim hovin e poshtërimit shqiptar, hovin e normalizimit të statusit të një pakice margjinale, duhet të bëhet pjesë e këtij fronti të madh, që nisi dje në Bërvenicë t’i thotë jo dhe do të vazhdojë t’i thotë jo”, deklaroi Osmani.

