SHBA-ja mohon pretendimin e Iranit se ka shkatërruar një dron detar amerikan në Ngushticën e Hormuzit
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) mohoi të premten pretendimin e Iranit se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kishte shkatërruar një mjet lundrues sipërfaqësor pa ekuipazh të ushtrisë amerikane në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
“Të gjitha mjetet lundruese sipërfaqësore pa ekuipazh të ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme janë të evidentuara, përfshirë një skuadron dronësh detarë të avancuar që patrullojnë në Ngushticën e Hormuzit në mbështetje të sistemit mbrojtës të CENTCOM-it”, deklaroi CENTCOM-i në platformën sociale amerikane X.
Më herët të premten, Marina iraniane njoftoi se kishte shkatërruar një “mjet lundrues armik pa pilot” që po operonte në lindje të ngushticës, pa identifikuar mjetin apo operatorin e tij, sipas një deklarate të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.
Marina iraniane tha gjithashtu se dy tankerë kishin goditur mina detare dhe kishin marrë flakë pasi kishin lundruar në zona që Irani i konsideron të kufizuara, ndërsa Marina e IRGC-së njoftoi se kishte ndaluar dy tankerë që po përpiqeshin të kalonin ngushticën përmes rrugëve të paautorizuara.
Incidentet ndodhin në një kohë të rritjes së tensioneve mes Iranit dhe SHBA-së lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyç për furnizimin global me energji.

