Komisioni i BE-së propozon 45 miliardë euro mbështetje shtesë për Ukrainën deri në vitin 2027

Komisioni i BE-së propozon 45 miliardë euro mbështetje shtesë për Ukrainën deri në vitin 2027

Komisioni Evropian të premten propozoi ndarjen e 45 miliardë eurove shtesë në ndihmë financiare për Ukrainën për vitin 2027, në kuadër të paketës së BE-së për huanë në mbështetje të Ukrainës prej 90 miliardë eurosh, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Propozimi synon të sigurojë mbështetje të vazhdueshme buxhetore dhe të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës, thuhet në një deklaratë.

Shuma e propozuar prej 45 miliardë eurosh do të ndahet deri më 31 dhjetor 2027, ku deri në 13,3 miliardë euro janë paraparë për mbështetjen buxhetore dhe 31,7 miliardë euro për kapacitetet e industrisë së mbrojtjes së Ukrainës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se propozimi do t’i sigurojë Ukrainës parashikueshmërinë shumë të nevojshme dhe do të ndihmojë në ruajtjen e shërbimeve thelbësore publike.

“Së bashku me aleatët tanë, duhet gjithashtu të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ushtruar presion ndaj Rusisë, në mënyrë që t’i japim fund luftës së saj barbare të agresionit”, tha ajo.

Ndihma buxhetore do të kushtëzohet nga respektimi i sundimit të ligjit, përpjekjet kundër korrupsionit, qëndrueshmëria ekonomike dhe zhvillimi i qëndrueshëm, si dhe nga masat mbrojtëse për interesat financiare të BE-së.

Propozimi tani do t’i paraqitet Këshillit Evropian për miratim, ndërsa shtetet anëtare do të vendosin për ndarjen e ndihmës ndërmjet mekanizmave të ndryshëm të financimit.

Pas miratimit, Komisioni synon të sigurojë që pagesat për Ukrainën të fillojnë në fillim të vitit 2027.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare i kanë ofruar Kievit mbështetje të përgjithshme në vlerë prej 231,6 miliardë eurosh, përfshirë 3,8 miliardë euro të gjeneruara nga asetet ruse të bllokuara.

MARKETING