Shtatë kandidatë të nominuar për të drejtuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë

Shtatë kandidatë të nominuar për të drejtuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë

Shtatë kandidatë janë nominuar nga shtetet anëtare për t’u bërë drejtori i ardhshëm i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), njoftoi agjencia shëndetësore e OKB-së, transmeton Aandolu.

MARKETING

Shik.mk

Në mesin e kandidatëve janë Hanan Mohammed Al-Kuwari nga Katari, ish-ministre e Shëndetësisë dhe këshilltare aktuale e kryeministrit për shëndetin publik; Hanan Balkhy nga Arabia Saudite, drejtoreshë rajonale e OBSH-së për Mesdheun Lindor; dhe Hans Henri P. Kluge nga Belgjika, drejtor rajonal i OBSH-së për Evropën.

Të nominuar janë gjithashtu Maria P. Neira nga Spanja, ish-drejtoreshë e Departamentit të Mjedisit dhe Shëndetit të OBSH-së; ministri indonezian i Shëndetësisë, Budi Gunadi Sadikin; si dhe Li Song nga Kina, sekretare e Federatës Gjithëkineze të Grave dhe ish-zyrtare e lartë e shëndetësisë.

Kandidati i shtatë është onkologu pediatrik armen Gevorg Tamamyan, profesor dhe drejtues i departamentit në Universitetin Shtetëror të Mjekësisë në Jerevan, i cili u nominua nga Botsvana.

Kandidatët do të marrin pjesë në një forum publik në selinë e organizatës në Gjenevë, më 18 dhe 19 nëntor, duke u mundësuar shteteve anëtare të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta me ta.

Bordi Ekzekutiv i OBSH-së do ta ngushtojë listën në pesë kandidatë në fillim të vitit 2027, përpara se të zhvillojë intervista dhe të nominojë deri në tre kandidatë për shqyrtim nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë.

Një forum i dytë publik për kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë do të mbahet më 15 mars 2027.

Asambleja pritet ta emërojë drejtorin e ardhshëm të përgjithshëm në maj, ndërsa kandidati i përzgjedhur do ta marrë detyrën më 16 gusht 2027.

MARKETING