Mickoski pret fitore në Bërvenicë
Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes së gazetarëve lidhur me ditën e fundit të fushatës zgjedhore në Bërvenicë dhe pritshmëritë e tij për raundin e dytë, deklaroi:
“Po, sot, në fund të ditës, do të mbajmë fjalimin përmbyllës para banorëve të Bërvenicës. VMRO-DPMNE në çdo fushatë hyn me synimin për të fituar, dhe e njëjta vlen edhe për këtë fushatë në Bërvenicë, në raundin e dytë. Në raundin e parë morëm më së shumti vota, gati 3.000, ndërsa tani presim që ta rrisim edhe më shumë këtë numër. Synimi ynë është të kalojmë 4.000 vota dhe, në këtë mënyrë, vlerësojmë se do të fitojmë në Bërvenicë.
VMRO-DPMNE, së bashku me koalicionin, gjithmonë hyn në zgjedhje për të fituar. Ne, ndryshe nga partitë politike që janë bashkuar rreth kundërkandidatit, iu drejtuam banorëve të Bërvenicës. Ata krijuan ndarje etnike, pa marrë parasysh se më 2 nëntor do të largohen, ndërsa këtu do të mbeten njerëzit për të jetuar së bashku, maqedonasit, shqiptarët dhe të tjerët, të krishterët dhe myslimanët.
Fatkeqësisht, zhvilluan një fushatë të tillë, do të thosha, që nuk i ka hije shekullit XXI, por çfarë të bësh. Ata vlerësojnë se, me sa duket, në këtë mënyrë do të fitojnë edhe një kryetar komune në Bërvenicë.
Mesazhi im për banorët e Bërvenicës dhe për opinionin maqedonas është se, kur vendosin se kujt do t’ia japin votën, duhet të mendojnë nëse do t’ua japin atyre që në të kaluarën patën mundësi për më shumë se dy dekada të bënin diçka, por nuk bënë asgjë, pra lanë pas zero, apo atyre që tani po realizojnë gjithçka që, për fat të keq, nuk ishte bërë në të kaluarën.
Këtu nuk ka ndarje etnike. Për këtë arsye, dëshiroj t’u drejtoj edhe një herë mesazh banorëve të Bërvenicës dhe qytetarëve të Maqedonisë: nëse duam të ecim përpara, duhet të flasim për më shumë projekte dhe për vlerë të shtuar në cilësinë e jetës së qytetarëve, e jo të kthehemi te politikat e shekullit të kaluar.
Ato janë gomë shpëtimi për politikanët që i përkasin shekullit të kaluar dhe ata kështu e shohin këtë fushatë në Bërvenicë. Por, në fund të ditës, të dielën do ta shohim se cili do të jetë rezultati.
Pres që dita të kalojë e qetë, pa incidente më të mëdha, në mënyrë që të tregojmë se jemi një demokraci e pjekur, gjë që në fakt po e dëshmojmë. Paqja tek ne nuk është vënë në pikëpyetje, ndërkohë që në rajon, në vendet fqinje, por edhe në të gjithë Evropën, shohim se në disa qytete kemi një situatë mjaft të tensionuar.”

