(VIDEO) LSDM: Alta Banka po transferon para në RMV, prokuroria të nisë hetimet

(VIDEO) LSDM: Alta Banka po transferon para në RMV, prokuroria të nisë hetimet

 

MARKETING

Shik.mk

LSDM pretendon se Alta Banka ka nisur transferimin e shumave të mëdha të parave drejt Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë Publike të hetojë origjinën e tyre. Zëdhënësja e partisë, Bogdanka Kuzeska, duke iu referuar raportimeve të mediave serbe, tha se transferimet e pretenduara kanë filluar më 26 tetor, pas zgjedhjeve në Serbi. Sipas saj, portali “Nova.rs” ka transmetuar deklarata të avokatit Niniq, i cili pretendon se shuma të mëdha parash po transferohen në llogari të personave juridikë në Moskë dhe Shkup. Kuzeska ngriti dyshime për origjinën e këtyre mjeteve dhe kërkoi nga Prokuroria Publike të nisë hetim për të përcaktuar burimin e tyre dhe për të parandaluar keqpërdorimet e mundshme.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

“Ne paralajmëruam se kjo do të ndodhte. Tani, sipas këtyre informacioneve, po shfaqen zhvillime që kërkojnë sqarim.Gjithçka që kemi thënë, sipas pretendimeve tona, po merr konfirmim. Për këtë arsye, mendojmë se Hristijan Mickoski dhe Trajko Sllaveski i kanë hapur rrugë hyrjes së Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut. Bankieri i Vuçiqit, sipas këtyre akuzave, është bërë edhe bankieri i Mickoskit në Maqedoni”.

Kuzeska sqaroi se pronari i bankës, Davor Macura, ka lidhje të afërta me Vuçiqin dhe SNS-në, duke përmendur edhe propozimet për vendosjen e sanksioneve ndaj tij në Kongresin amerikan. Ajo i bëri thirrje guvernatorit Sllaveski të dalë publikisht dhe të sqarojë se çfarë masash do të ndërmarrë, ndërsa kërkoi nga Prokuroria Publike të nisë veprimet hetimore.

Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” SHA Beograd bleu “Stopanska Bankën” e Manastirit, pas marrjes së pëlqimit zyrtar nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut. /SHENJA/

 

MARKETING