Në Universitetin e Tetovës filluan punimet e Javës së Veçantë Studimore 2026
Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën Maqedonase për Edukim Qytetar, ka nisur sot punimet e Javës së Veçantë Studimore 2026, e cila do të zgjasë deri më 30 tetor, nën moton “Inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi në arsim – Mundësi, sfida dhe praktika inovative”.
Kjo veprimtari tradicionale, e cila organizohet për të gjashtin vit radhazi, këtë edicion i kushtohet ndikimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në procesin edukativo-arsimor, me theks të veçantë te mundësitë për përmirësimin e mësimdhënies dhe të nxënit, si dhe te sfidat që sjell përdorimi i tyre.
Në ceremoninë e hapjes, prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Agon Memeti, theksoi se inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën e kërkimit të informacionit, të punës dhe të të nxënit, duke hapur mundësi të reja, por edhe duke ngritur çështje thelbësore që lidhen me mendimin kritik, kuptimin e dijes dhe vlerësimin e rezultateve të të nxënit.
Ai nënvizoi se, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, marrëdhënia njerëzore mbetet në themel të procesit arsimor. Sipas tij, teknologjia duhet të vlerësohet edhe në bazë të kontributit që jep në forcimin e marrëdhënies mes mësimdhënësit dhe nxënësit, si dhe në zhvillimin intelektual të tyre.
“Një mësues që e dëgjon nxënësin, e inkurajon të shtrojë pyetje dhe i jep besim në aftësitë e veta, lë gjurmë që shkojnë përtej një ore mësimore. Vlera e teknologjisë në arsim duhet të vlerësohet edhe nga mënyra se si ajo e mbështet dhe e pasuron këtë marrëdhënie”, u shpreh Prof. Dr. Agon Memeti.
Ai bëri të ditur se Universiteti i Tetovës po punon për hartimin e strategjisë dhe të rregullores për përdorimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie, me qëllim që studentëve dhe mësimdhënësve t’u ofrohen orientime të qarta dhe një kornizë e përgjegjshme për shfrytëzimin e këtyre teknologjive.
Prorektori Memeti, gjithashtu, i inkurajoi studentët që inteligjencën artificiale ta përdorin me kureshtje, përgjegjësi dhe gjykim kritik, duke kontrolluar burimet e informacionit dhe duke i kushtuar rëndësi procesit të të kuptuarit dhe të të mësuarit.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, vlerësoi se tema e këtij edicioni është me rëndësi të veçantë për të ardhmen e arsimit, pasi inteligjenca artificiale dhe teknologjitë digjitale po krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e praktikave bashkëkohore mësimore.
Ai theksoi se mësimdhënësit e ardhshëm duhet jo vetëm t’i njohin këto teknologji, por edhe të jenë në gjendje t’i përdorin ato në mënyrë efektive, kritike dhe etike.
Sipas dekanit Mehmedi, programi i kësaj jave ndërthur njohuritë teorike me aktivitete praktike dhe krijuese, duke u mundësuar studentëve të përfshihen në përgatitjen e paketave digjitale për mësimdhënie.
“Synimi ynë është që studentët tanë të jenë jo vetëm përdorues të teknologjisë, por edhe mësimdhënës të ardhshëm që dinë ta shndërrojnë atë në një mjet të dobishëm për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit”, deklaroi Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Në hapjen e aktivitetit mori pjesë edhe drejtori i Qendrës Maqedonase për Edukim Qytetar, z. Besnik Ramadani, i cili përgëzoi organizatorët për realizimin e kësaj veprimtarie dhe shprehu dëshirën që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Ai theksoi se ky është viti i dytë radhazi i bashkëpunimit ndërmjet Qendrës Maqedonase për Edukim Qytetar dhe Fakultetit Pedagogjik, duke e vlerësuar pozitivisht zgjerimin e tij, veçanërisht përmes përfshirjes së Fakultetit Filozofik.
Ramadani e cilësoi temën e këtij edicioni si veçanërisht aktuale, duke nënvizuar se inteligjenca artificiale tashmë është pjesë e realitetit të përditshëm dhe përdoret gjerësisht në fusha të ndryshme. Ai shprehu bindjen se studentët, gjatë kësaj jave, do të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike për ta përdorur atë në mënyrë të përgjegjshme dhe në funksion të studimeve të tyre.
Në kuadër të aktivitetit hapës, dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof. Dr. Florim Idrizi, mbajti një prezantim kushtuar inteligjencës artificiale. Gjatë tij, ai trajtoi mundësitë e përdorimit të kësaj teknologjie nga studentët, praktikat e ndryshme dhe metodologjitë bashkëkohore që mund të ndihmojnë në përmirësimin e procesit të mësimdhënies.
Gjatë periudhës 26–30 tetor, studentët do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme teorike dhe praktike, përmes të cilave do të kenë mundësi të thellojnë njohuritë mbi inteligjencën artificiale dhe digjitalizimin në arsim, të zhvillojnë kompetencat digjitale dhe të përgatiten më mirë për sfidat e arsimit bashkëkohor.
Java e Veçantë Studimore 2026 synon të nxisë përdorimin e përgjegjshëm dhe inovativ të teknologjisë në arsim, duke i përgatitur studentët për të qenë mësimdhënës të aftë për t’iu përgjigjur nevojave dhe zhvillimeve të sistemit arsimor modern.

