(VIDEO) Mickoski: Nëse nuk kemi familje me shumë fëmijë, e ardhmja ekonomike në rrezik
Nëse nuk i drejtohemi vlerave familjare dhe familjeve të mëdha dhe nëse nuk i promovojmë ato vlera, për fat të keq ekonomia e RMV-së do të jetë e para që do të goditet. Kështu ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur lidhur me deklaratën e ministrit të transportit Aleksandar Nikollovski, se deri në vitin 2030 vendit i duhen 50.000 punëtorë të huaj çdo vit për të ruajtur nivelin e BPV-së aktuale, që nënkuoton se pas 4 vitesh RMV do të ketë 200.000 punëtor të huaj.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Kur flisja para një viti e gjysmë apo dy vitesh për vlerat familjare dhe fertilitetin, atëherë më cilësuan si të prapambetur, si regresiv, thanë se nuk dija për çfarë po flisja dhe më drejtuan lloj-lloj kritikash. Por, për fat të keq, kjo sfidë vazhdon ende dhe ajo që theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit mund të jetë një vlerë e nënvlerësuar, ndoshta do të na duhen shumë më tepër për të ruajtur aktivitetin ekonomik”.
Mickoski tha se qëndron tek politikat familjare, kryesisht familje me shumë fëmijë,që siç tha ai nënkuptojnë të ardhme për Maqedoninë si shtet, vende të reja pune për punëtorin e vendit dhe një ekonomi më konkurruese, e cila do të rritet, sepse përkundrazi ritheksoi ai ekonomia do të dobësohet.
Mickoski iu referua zhvillimeve në Evropën Perëndimore, ku, për të ruajtur nivelin e ekonomisë dhe për të shënuar një rritje të lehtë të BPV-së është e nevojshme që çdo vit të jepen qindra mijëra, e ndoshta edhe miliona leje pune për migrantët.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

