(VIDEO) Sela: Nuk duhet të ketë zgjedhje të reja pa u zgjidhur legjitimiteti politik
Përkatësia etnike e kryeministrit Hristijan Mickoski, në qendër të një kërkese publike nga Ziadin Sela. Nga studioja e emisionit “Debat në SHENJA”, kryetari i Lidhjes Shqiptare, sfidon Mickoskin që me dokument zyrtar të dëshmojë nëse është maqedonas, duke ngritur çështjen e dokumentimit institucional të përkatësisë etnike.
Ziadin Sela, kryetar i Lidhjes Shqiptare
“Sot, le të ma dëshmojë me një dokument prej institucionit Hristijan Mickoski a është maqedon apo jo. Me dokument prej institucioneve të shtetit. Te Jeton Shasivari le të shkojë të marrë. Nuk është në certifikatë të lindjes. E shfuqizoi Gjykata Kushtetuese. Kushtetuta në ndërkohë thotë se shteti identitetin kombëtar. Unë dua nga ky shtet që ma garanton identitetin kombëtar ku kam nevojë të më japë dokument, që unë kam këtë përkatësi etnike”.
Ndërkaq nga po e njëjta studio ai ka vlerësuar se në Maqedoni të Veriut nuk duhet të ketë zgjedhje të reja pa u zgjidhur paraprakisht me ligj çështja e legjitimitetit politik. Sela deklaroi se zgjidhja ligjore e kësaj çështjeje është e domosdoshme, duke theksuar se nuk dëshiron që kryeministri Hristijan Mickoski të ketë mundësi të përsërisë zgjedhjet sipas vullnetit të tij politik. Ai nënvizoi se e drejta e votës duhet të garantohet me ligj dhe se votuesit nuk duhet të kenë tutorë politikë që ndikojnë në vullnetin e tyre.
Ziadin Sela, kryetar i Lidhjes Shqiptare
“Unë mendoj që në zgjedhje, pa u zgjidhur çështja e legjitimitetit me ligj, ne nuk duhet të shkojmë në zgjedhje. Sepse unë nuk dua t’ia krijoj komoditetin Hristijan Mickoskit që t’i bëjë dy herë zgjedhjet sipas qejfit të vet. Unë nuk dua që Hristijan Mickoski të jetë tutori i votës së Abedinit, ose të atij tjetrit apo atij tjetrit. E drejta e votës është e drejtë vote. Dhe kjo e drejtë vote duhet të shndërrohet në ligj, sepse nuk guxojmë t’i vëmë tutorë votës sonë”.
Tutje ai e cilëson si skandaloze deklaratën e zëdhënësit të VLEN-it, Driton Sulejmani, lidhur me qëndrimin e kësaj partie për mbështetjen e kandidatëve në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës. Sela e kritikoi ashpër Sulejmanin, duke e cilësuar deklaratën e tij si shprehje servilizmi dhe mungese qëndrimi. Ai theksoi se qytetarët e Bërvenicës e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre dhe se subjektet politike duhet ta marrin parasysh atë.
Anida Murati /SHENJA/

