(VIDEO) Dita e 8-të e protestës në Shqipëri, studentët dhe pedagogët refuzuan ftesën e Ramës për dialog
Në Tiranë ka nisur dita e tetë e protestës së studentëve, të cilëve sot i janë bashkuar edhe pedagogët. Ata kanë marshuar drejt Kryeministrisë aty ku kanë përmbysur karriget e vendosura më herët nga kryeministri Edi Rama në mënyrë simbolike si ftesë për dialog.
“Pa dorëheqje nuk ka dialog” janë thirrjet e dëgjuara nga protestuesit e grumbulluar para godinës së qeverisë. më pas ata kanë vazhduar marshin drejt ministrisë së arsimit.
Në orët e para të mëngjesit, kryeministri Edi Rama në shenjë simbolike, përpara godinës së Kryeministrisë vendosidisa karrige të shoqëruara me pankartat ku shkruhet “Dialog”. Ndërkohë, ai i ka çuar dhe një mesazh të qartë protestuesve, se është për dialog pa kushte.
EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
“Kush do dialog, pa kushte, ku të dojë, kur të dojë, edhe këtu po të dojë, jam në dispozicion bashkë me qeverinë. Të vetmit që nuk janë të mirëpritur janë ata që bëjnë dhunë dhe që nuk distancohen nga dhuna”.
Ndërkaq, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për thirrjen e një seance plenare urgjente gjatë ditës së sotme ose të mërkurën, me fokus diskutimin e protestës tetëditore të studentëve dhe të rinjve. Në njoftimin e saj, PD kërkon shqyrtimin e kërkesave të protestuesve, si dhe diskutimin e përdorimit të forcës dhe aktet e dhunës nga forcat e rendit ndaj të rinjve.
Rama në ndërkohë paralajmëroi masa penale dhe administrative ndaj personave që kanë shkaktuar dëme gjatë protestave të ditëve të fundit, ndërsa tha se qeveria po shqyrton edhe mundësinë e kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.
Që nga 13 tetori, mijëra njerëz kanë protestuar fillimisht në Tiranë e pastaj edhe në qytete të tjera, nxitur nga pakënaqësitë e studentëve për kostot e arsimit, kushtet në universitete dhe mungesën e perspektivës ekonomike. Protestat u zgjeruan shpejt, duke përfshirë qytetarë që kundërshtojnë koston e jetesës, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij. Deri të dielën, autoritetet kishin ngritur akuza penale ndaj 388 personave në lidhje me protestat. Ndërkohë, shtatë policë ishin pezulluar nga detyra në pritje të hetimeve për dyshime për përdorim të tepruar të forcës. /SHENJA/

