Sela: Pa u zgjidhur çështja e legjitimitetit, nuk duhet të shkohet në zgjedhje
Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, ka vlerësuar se nuk duhet të ketë zgjedhje të reja pa u zgjidhur paraprakisht me ligj çështja e legjitimitetit politik.
Sela deklaroi se zgjidhja ligjore e kësaj çështjeje është e domosdoshme, duke theksuar se nuk dëshiron që kryeministri Hristijan Mickoski të ketë mundësi të përsërisë zgjedhjet sipas vullnetit të tij politik.
Ai nënvizoi se e drejta e votës duhet të garantohet me ligj dhe se votuesit nuk duhet të kenë tutorë politikë që ndikojnë në vullnetin e tyre.
“Unë mendoj që në zgjedhje, pa u zgjidhur çështja e legjitimitetit me ligj, ne nuk duhet të shkojmë në zgjedhje. Sepse unë nuk dua t’ia krijoj komoditetin Hristijan Mickoskit që t’i bëjë dy herë zgjedhjet sipas qejfit të vet. Unë nuk dua që Hristijan Mickoski të jetë tutori i votës së Abedinit, ose të atij tjetrit apo atij tjetrit. E drejta e votës është e drejtë vote. Dhe kjo e drejtë vote duhet të shndërrohet në ligj, sepse nuk guxojmë t’i vëmë tutorë votës sonë”, deklaroi Sela në emisionin “Debat në SHENJA”.

