Muhamed Zekiri dënohet me 1 vjet e 7 muaj burg

Muhamed Zekiri dënohet me 1 vjet e 7 muaj burg

Gjykata e Apelit e ka dënuar ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zekiri, me 1 vit e 7 muaj burg për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, në rastin që lidhet me kontratat për shërbime konsulente për analizimin e situatës dhe privatizimin e mundshëm të Postave dhe Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut, të lidhura pa procedurë të prokurimit publik.

MARKETING

Shik.mk

Vendimi është marrë pas rigjykimit të çështjes. Zekiri ka të drejtë të paraqesë ankesë në Gjykatën Supreme brenda afatit prej tetë ditësh.

Sipas Prokurorisë, përmes këtyre kontratave buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm prej mbi 1.1 milion eurosh. Nga Gjykata e Apelit bëjnë të ditur se është urdhëruar konfiskimi i pasurisë së kompanisë kontraktuese „Interholding“, por jo edhe i pasurisë së Zekirit.

Në shtator, Gjykata e Apelit në Shkup e kishte shfuqizuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale të Shkupit dhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim në shkallën e parë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore Penale e Shkupit e kishte shpallur Zekirin fajtor dhe e kishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burg për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, sipas nenit 353, paragrafi 4, të Kodit Penal. Pas ndryshimeve të fundit ligjore, për këtë vepër parashihet dënim me burg prej një deri në pesë vjet.

Zekiri akuzohej për lidhjen e dy kontratave për shërbime konsulente pa zhvilluar procedurën përkatëse të prokurimit publik. Në aktgjykimin e mëparshëm, gjykata kishte urdhëruar edhe kompensimin e dëmit të shkaktuar në Buxhetin e Shtetit, në vlerë prej 71.338.336 denarësh.

MARKETING