(VIDEO) Bërvenica zgjedh kryetarin e ri, parregullsi të vogla gjatë votimit
Banorët e Komunës së Bërvenicës sot po votojnë në zgjedhje të parakohshme lokale për zgjedhjen e kryetarit të komunës. Vendvotimet janë hapur në orën 7:00, ndërsa votimi do të zgjasë deri në orën 19:00.
Në Listën Zgjedhore janë regjistruar 16.256 qytetarë me të drejtë vote nga dhjetë vendbanimet e komunës.
Pas mbylljes së vendvotimeve do të fillojë numërimi i votave, ndërsa rezultatet e para do të publikohen sipas afateve të përcaktuara. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do ti publikojë në mënyrë të njëpasnjëshme rezultatet e para të marra në mënyrë elektronike. Ndërkaq, të dhënat e bazuara në procesverbalet e Komisionit Komunal Zgjedhor duhet të publikohen brenda 12 orëve nga përfundimi i votimit.
Komisioni Komunal Zgjedhor ka afat prej shtatë orësh pas mbylljes së vendvotimeve për publikimin e rezultateve të para, bazuar në të dhënat e këshillave zgjedhorë.
Sipas rregullave zgjedhore, që një kandidat të zgjidhet kryetar komune në raundin e parë, duhet të fitojë shumicën e votave të votuesve që kanë votuar, me kusht që në zgjedhje të kenë dalë të paktën një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.
Të shtunën, 85 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm dhe 7 persona të cilët ndodhen në paraburgim apo burg, e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës për zgjedhjen e kryetarit të kësaj komune.
Zgjedhet e parakohshme lokale në Bërvenicë mbahen për shkak të vdekjes së ish kryetarit të komunës në qershor të këtij viti.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

