Universiteti i Tetovës e shënoi Ditën Botërore të Ushqimit me fokus tek inovacioni dhe ushqyerja e shëndetshme
Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në Universitetin e Tetovës organizoi një aktivitet me rastin e 16 Tetorit – Ditës Botërore të Ushqimit, nën moton “Inovacioni i sotëm, ushqimi i së nesërmes”.
Në këtë aktivitet morën pjesë drejtues të Universitetit të Tetovës, profesorë, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme, të cilët patën mundësinë të njihen më nga afër me rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme, cilësinë e produkteve ushqimore dhe rolin e shkencës e të inovacionit në përmirësimin e sigurisë dhe vlerave ushqyese të ushqimit.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të shoqërisë për ushqyerjen e shëndetshme dhe ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës.
“Sensibilizimi për këto çështje është jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrethanat në të cilat jetojmë. Ushqimi që konsumojmë sot reflektohet në shëndetin tonë në të ardhmen, prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm për cilësinë e tij dhe mënyrën tonë të jetesës. Universiteti, përmes aktiviteteve të këtilla, synon të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes dhe promovimin e një jete më të shëndetshme”, theksoi rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Gafur Xhabiri, vuri në dukje rëndësinë e shënimit të Ditës Botërore të Ushqimit, duke theksuar se kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për rolin e ushqimit në shëndetin e njeriut dhe mirëqenien e shoqërisë.
“Dita Botërore e Ushqimit synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e ushqimit në mbarë botën. Motoja e këtij viti, ‘Inovacioni i sotëm, ushqimi i së nesërmes’, ka rëndësi të veçantë për fakultetin tonë, pasi ndërlidh shkencën me nevojat e konsumatorëve. Sot kemi ftuar edhe nxënës të shkollave të mesme, ndërsa studentët tanë kanë përgatitur ushqime tradicionale, duke ndërthurur njohuritë akademike me vlerat e traditës sonë ushqimore”, u shpreh dekani Prof. Dr. Gafur Xhabiri.
Në kuadër të aktivitetit, studentët prezantuan ushqime tradicionale të përgatitura prej tyre, duke promovuar trashëgiminë gastronomike dhe rëndësinë e ruajtjes së traditës ushqimore. Ky prezantim shërbeu gjithashtu si një mundësi për të theksuar lidhjen ndërmjet njohurive akademike, vlerave ushqyese dhe kulturës tradicionale të të ushqyerit.
Përmes këtij aktiviteti, Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, rikonfirmoi përkushtimin ndaj edukimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe ndërgjegjësimit të brezave të rinj për rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme.

