OKB-ja kërkon hetim për sulmin ndaj fotografes së Washington Post nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor

OKB-ja kërkon hetim për sulmin ndaj fotografes së Washington Post nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë bërë thirrje për një hetim të plotë lidhur me sulmin ndaj fotoreportes së Washington Post, Heidi Levine, nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke theksuar se gazetarët duhet të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre pa u ngacmuar, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

“Jemi në dijeni të gjendjes së saj dhe, padyshim, ky është një tjetër rast kur është shkelur e drejta e një gazetari për t’i kryer detyrat e tij pa u ngacmuar”, u tha gazetarëve Farhan Haq, zëdhënësi i zv/sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

“Duam të sigurohemi që kjo çështje të hetohet plotësisht dhe që të parandalohet çdo ngacmim i mëtejshëm ndaj gazetarëve”, shtoi ai.

Deklaratat erdhën pasi gazeta Washington Post dënoi sulmin ndaj Levine, ndërsa ajo po raportonte nga Bregu Perëndimor i pushtuar.

“Këtë mëngjes, fotografja e Washington Post, Heidi Levine, u sulmua nga kolonët izraelitë teksa po raportonte në Bregun Perëndimor”, tha më herët në një deklaratë kryeredaktori ekzekutiv i gazetës, Matt Murray.

“Ajo mbante shenja të dukshme që e identifikonin qartë si gazetare”, shtoi Murray.

I pyetur se çfarë masash po merr OKB-ja për të mbrojtur gazetarët në kushtet e vazhdimit të dhunës nga kolonët në Bregun Perëndimor të pushtuar, Haq tha se organizata e ngre këtë çështje pranë shteteve anëtare dhe vepron përmes organeve të saj për të drejtat e njeriut dhe agjencive të specializuara.

“U bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare të respektojnë të drejtat e gazetarëve”, tha ai.

Haq gjithashtu theksoi punën e organeve të OKB-së për të drejtat e njeriut dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), e cila luan një rol udhëheqës në promovimin e të drejtave dhe sigurisë së gazetarëve.

MARKETING