Kancelari gjerman: Liderët e BE-së mbeten të përçarë për buxhetin e ardhshëm

Kancelari gjerman: Liderët e BE-së mbeten të përçarë për buxhetin e ardhshëm

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se liderët e Bashkimit Evropian (BE) mbeten thellësisht të përçarë lidhur me buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të bllokut, ndërsa një grup më i vogël vendesh, ku bën pjesë edhe Gjermania, kërkon shkurtime të konsiderueshme të propozimeve të Komisionit Evropian, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Duke folur në ditën e dytë të takimit të liderëve të BE-së në Bruksel, Merz tha se 27 shtetet anëtare kanë qëndrime shumë të ndryshme për planin e shpenzimeve që do të zbatohet nga viti 2028 e tutje. Ai shprehu shpresën se një marrëveshje mund të arrihet deri në fund të vitit, por paralajmëroi se suksesi është larg të qenit i sigurt.

“Ka qëndrime shumë të ndryshme mes shteteve anëtare. Një grup më i vogël, ku bën pjesë edhe Gjermania, beson se duhet ta zvogëlojmë ndjeshëm buxhetin evropian në krahasim me propozimet e paraqitura nga Komisioni Evropian”, tha Merz.

Në të kundërt, shtoi ai, një grup më i madh vendesh kërkon zgjerimin e buxhetit.

Merz theksoi se, nga këndvështrimi i Gjermanisë, shifrat e propozuara nga Komisioni Evropian duhet të ulen edhe më tej. Ai theksoi se të gjitha shtetet anëtare po përpiqen të shtrëngojnë disiplinën fiskale në nivel kombëtar dhe se një rritje e ndjeshme e shpenzimeve të BE-së nuk është realiste.

“Thjesht nuk është e përballueshme që buxheti evropian të rritet me rreth 50 për qind. Kjo nuk është financiarisht e realizueshme. Dhe, duke pasur parasysh kontributet kombëtare që kërkohen, është diçka që askush nuk mund ta përballojë”, paralajmëroi ai.

Merz tha se liderët duhet t’i diskutojnë çështjet në detaje. Një takim shtesë i Këshillit Evropian pritet të mbahet në nëntor, i pasuar nga bisedime disaditore në dhjetor.

“Vazhdoj të shpresoj se do të arrijmë ta vëmë në rrugën e duhur buxhetin evropian për vitet nga 2028 e tutje, përmes një vendimi unanim të Këshillit”, tha Merz.

“Nëse do të kemi sukses, nuk mund ta them aspak sot. Ka ende shumë qëndrime të kundërta”, shtoi ai.

MARKETING