Jahiji prezanton prioritetet për 100 ditët e para në Komunën e Bërvenicës
Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, ka prezantuar prioritetet që synon t’i realizojë gjatë 100 ditëve të para të mandatit, në rast se zgjidhet në krye të kësaj komune.
Gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Debat në SHENJA”, Jahiji ka përmendur një sërë projektesh infrastrukturore, përfshirë rregullimin e rrugëve, rinovimin e shkollave dhe përmirësimin e kushteve për bujqit.
Ndër projektet e përmendura është rruga në relacionin Stenç–Gurgurnicë, si dhe rinovimi i shkollave në Tenovë dhe Miletinë.
Jahiji ka theksuar gjithashtu se në Çellopek parashihet asfaltimi i rrugës kryesore dhe ndërtimi i një rruge alternative, e cila do të shërbente si bypass, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe hyrje-daljes nga fshati.
“Siç e përmenda rruga në Gurgurnicë. Rruga Stenç – Gurgurnicë. Në Tenovë, rinovimi i shkollës. Në Miletinë, rinovimi i shkollës. Në Çellopek, asfaltimi i rrugës kryesore dhe ndërtimi i rrrugës të them si by-pass i rrugës kryesore, në mënyrë që të ketë një rrugë e cila do të lehtësojë hyrjen dhe daljen nga fshati, për shkak se nëse bllokohet rruga, ne duhet të kalojmë rrugë nga Strimnica ose nga Radiovca për të shkuar për në Tetovë. Ne do të lehtësojmë këtë për qytetarët. Ne u garantojmë bujqëve se do të bëjmë tamponimin e rrugëve nëpër ara. Edhe pse nuk mund ta garantojmë 100%, por është sistemi i ujitjes së tokave edhe pse më herët ka ekzistuar por tash ka defekte, mungojnë pompat në mënyrë që ajo të jetë funksionale”, deklaroi Jahiji. /SHENJA/

