Lëvizja POPULLI dënon dhunën ndaj dy të rinjve shqiptarë: Kërkon hetim të pavarur dhe përgjegjësi

Lëvizja POPULLI dënon dhunën ndaj dy të rinjve shqiptarë: Kërkon hetim të pavarur dhe përgjegjësi

Lëvizja POPULLI ka reaguar ashpër ndaj rrahjes së dy të rinjve shqiptarë nga pjesëtarë të policisë së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar hetim të menjëhershëm, transparent dhe përgjegjësi ligjore për të gjithë personat e përfshirë.

MARKETING

Shik.mk

Në reagimin e saj, kjo parti e cilëson rastin si një alarm serioz për përdorimin e forcës policore dhe shpreh shqetësimin për, siç thotë, rikthimin e mentalitetit të shtetit policor.

“Kjo nuk është vetëm dhunë ndaj dy të rinjve. Është një alarm serioz për rikthimin e mentalitetit të shtetit policor, ku uniforma përdoret për ta frikësuar dhe nënshtruar qytetarin”, thuhet në reagimin e Lëvizjes POPULLI.

Sipas kësaj partie, rasti nuk duhet të trajtohet thjesht si tejkalim i autorizimeve policore, por kërkon përgjegjësi penale dhe institucionale. Lëvizja POPULLI ngre gjithashtu shqetësimin se raste të tilla mund të rikthejnë ndjenjën e pasigurisë te qytetarët shqiptarë.

Në reagim, kritika i drejtohen edhe koalicionit VLEN, si partner shqiptar në qeverisjen e udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Nga kjo parti kërkohet që të japë përgjigje për qytetarët lidhur me rastin dhe me sigurinë e shqiptarëve në raport me institucionet shtetërore.

Lëvizja POPULLI kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent, identifikimin e policëve të përfshirë dhe ndëshkimin ligjor të secilit që ka ushtruar ose ka mbuluar dhunën. Ajo kërkon gjithashtu përgjegjësi nga udhëheqësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Koha kur shqiptarët heshtnin nga frika e uniformës ka përfunduar. Dhe askush nuk duhet të lejohet ta rikthejë atë kohë!”, përfundon reagimi i Lëvizjes POPULLI.

MARKETING