Debat për shqiptarët dhe eurointegrimet në RMV: “Ndryshimet kushtetuese nuk janë problemi i vetëm”
Situata politike në Maqedoninë e Veriut, ndryshimet kushtetuese dhe procesi i integrimit evropian ishin ndër temat e diskutuara në emisionin “Debat në Sheja”, ku ish-komandanti Rafis Aliti, profesori universitar Fati Iseni dhe analisti Xhenur Iseni dhanë qëndrimet e tyre për zhvillimet në vend.
Rafis Aliti tha se shqiptarët, sipas tij, nuk duhet ta shohin çështjen vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, duke theksuar rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit dhe procesit të eurointegrimeve.
“Ne shqiptarët nuk kemi pse mërzitemi a do të bëhen ndryshimet kushtetuese a jo. E them se ne kemi tjera probleme, preket Marrëveshja e Ohrit”, deklaroi Aliti.
Ai tha se obstruksione, sipas tij, ka pasur nga qeveri të ndryshme dhe se Marrëveshja e Ohrit është paraqitur në mënyra të ndryshme para opinionit maqedonas.
“Obstruksione ka pasur çdo qeveri. Ata ia kanë shitur palës së vet, maqedonasve, se ua ka imponuar faktori ndërkombëtar dhe jo si marrëveshje e paqes”, u shpreh Aliti.
Sipas tij, janë bërë përpjekje për ndryshimet kushtetuese, por kryeministri Hristijan Mickoski e ka paraqitur çështjen në një tjetër mënyrë.
“Ne i duam eurointegrimet”, theksoi Aliti.
Ndërkaq, profesori universitar Fati Iseni vlerësoi se kohezioni politik në vend mbetet i brishtë, ndërsa në bllokun politik shqiptar, sipas tij, vazhdon të kontestohet çështja e legjitimitetit.
“Unë mendoj se kohezioni politik është i brishtë. Në bllokun politik shqiptar akoma kontestohet çështja e legjitimitetit”, tha Iseni.
Ai u ndal edhe te raportet me Bullgarinë dhe Bashkimin Evropian, duke theksuar se çështja është e ndjeshme për shkak të dimensionit të identitetit.
“Çështja me Bullgarinë është e ndjeshme, pasi ka të bëjë me identitetin që natyrisht ne nuk mund ta ndjejmë”, deklaroi Iseni.
Sipas tij, nevojitet një proces më i gjerë pajtimi dhe dialogu, ndërsa ndryshimet kushtetuese nuk duhet të shihen si pengesa e vetme në rrugën drejt BE-së.
“Ka çështje të tjera që kontestohen”, tha profesori universitar.
Analisti Xhenur Iseni u pajtua se ndryshimet kushtetuese nuk janë problemi i vetëm, duke theksuar se partitë politike vazhdimisht i kanë vendosur eurointegrimet në prioritet, sidomos para zgjedhjeve.
“Natyrisht se nuk është problemi i vetëm ndryshimet kushtetuese. Çdo herë para fillimit të zgjedhjeve, partitë i kanë pasur prioritet eurointegrimet, pavarësisht se ne këtu kemi probleme shumë më të thella”, u shpreh Xhenur Iseni.
Ai përmendi edhe debatin për pozitën e shqiptarëve në vend, duke thënë se opozita flet për degradim të statusit të tyre.
Në këtë kontekst, Xhenur Iseni u ndal edhe te zgjedhjet në një komunë, të cilat, sipas tij, kanë rëndësi më të madhe politike sesa mund të duket.
“Nëse fiton pushteti, bie poshtë narrativa ku thuhet se shqiptarët janë nëpërkëmbur. Nëse fiton opozita, përforcohet kjo narrativë”, tha analisti.

