(VIDEO) Filipçe: Mickoski provokon dhe po rihap plagët e vjetra ndëretnike
Lideri i opozitares maqedonase, LSDM, Venko Filipçe, edhe nga studioja e Televizionit SHENJA ka adresuar një sërë kritikash ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski. Në emisionin “IMPAKT”, me gazetaren Teuta Buçi, Filipçe ka folur për qëndrimin e VMRO-DPMNE-së ndaj integrimit evropian dhe procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Filupçe akuzoi pushtetin se nuk është i interesuar për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe se synon të shmangë kontrollin evropian.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Nga viti 1991 një nga qëllimet strategjike përpos anëtarësimi në NATO, është anëtarësimi në BE, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, me zgjidhjen e kontestit shumë vjeçar rreth emrit me Greqinë, ne u bëmë anëtare të NATO-s dhe filloi procesi për eurointegrime, u hapën bisedimet, ndodhi takimi i parë ndërqeveritar, tani pas 4-5 viteve bllokim nga ana e VMRO-së, atëherë në opozitë tani në pushtet, kur, të ju kujtojë se në vizitën e presidentes Layen në Kuvend kanë vërshëllyer, mbanin transparente dhe procesin e bllokuan”.
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, kritikoi gjithashtu Mickoskin për mënyrën se si, sipas tij, po i trajton çështjet ndëretnike në vend. Filipçe tha se, për shkak të asaj që i cilësoi si provokime të kryeministrit Mickoski, në vend po rihapen plagë të vjetra ndëretnike.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Ne jemi parti e cila në strukturat e larta udhëheqëse ka njerëz nga përkatësi të ndryshme etnike, kemi shqiptar në bordin ekzekutiv të partisë. Më lejoni të them se, me keqardhje mund të konstatoj se, Hristijan Mickoski nuk di dhe nuk ka ndjesi të asaj se si udhëhiqet shtet multietnik. E shohim se si sillet në lidhje me gjuhën, në lidhje me balancuesin, hap çështje të mbyllura”.
Filipçe foli edhe për mënyrën se si LSDM-ja do t’i ndërtojë koalicionet e ardhshme politike. Ai tha se bashkëpunimet do të bazohen në vlera dhe në një program të përbashkët, ndërsa sugjerimet nga partitë, organizatat qytetare, intelektualët dhe aktivistët do të jenë të mirëseardhura. Sipas tij, LSDM-ja në të ardhmen do të bashkëpunojë me njerëz dhe subjekte që janë të gatshëm ta zbatojnë programin dhe që janë të hapur për t’i dëgjuar qytetarët.
Samir Mustafa /SHENJA/

