(VIDEO) Rasti Lotaria Shtetërore, dëshmitari: Pajisjet e blera nuk u vunë në funksion
Ka vazhduar edhe sot gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku 8 persona në këtë rastë janë të akuzuar, mes tyre edhe ish zv/kryeministri, Artan Grubi dhe drejtori ish drejtori Përparim Bajrami.
Në qendër të vemendjes ka qenë sot dëshmia e dëshmitarit Aleksandar Andonov, anëtar i komisionit që ka realizuar prokurimin publik. Sipas tij, procedura për furnizimin me terminale VLT në SHA “Lotaria Shtetërore” ishte realizuar në bazë të planeve dhe vendimeve të miratuara më parë nga organet drejtuese, ndërsa pajisjet e blera asnjëherë nuk janë vënë në përdorim dhe ende ndodhen në magazinat e kompanisë. Andonov, i cili aktualisht është drejtor i Sektorit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit në Lotarinë Shtetërore, dëshmoi se si anëtar i një komisioni prej pesë anëtarësh ka marrë pjesë në procedurën për furnizimin e terminaleve VLT, por se komisioni ka vepruar në bazë të vendimeve të miratuara më parë.
ALEKSANDAR ANDOV, DËSHMITAR
“Ato asnjëherë nuk u vunë në përdorim për nevojat e Lotarisë Shtetërore. Nga ana e sektorit kompetent, në bazë të kërkesës, Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Ministrisë së Financave iu dërguan kërkesa, mirëpo, duke pasur parasysh se pajisjet aktualisht ndodhen në magazinat e Lotarisë Shtetërore dhe nuk janë vënë në përdorim, nuk mund të them se në cilën pjesë kemi marrë vendime pozitive apo negative për vënien e tyre në përdorim, duke pasur parasysh se të gjitha pajisjet e porositura ndodhen në magazinat e Lotarisë”.
Më tej, ai shpjegoi mënyrën se si planifikohen dhe miratohen prokurimet në kompani, duke theksuar se, përveç planit për prokurime publike, ekziston edhe plani financiar. Sipas dëshmisë së tij, para shpalljes së prokurimit publik ishte zhvilluar një procedurë e veçantë paraprake, gjatë së cilës ishte mbledhur dokumentacioni për përcaktimin e ligjshmërisë dhe arsyeshmërisë së prokurimit.
ALEKSANDAR ANDOV, DËSHMITAR
“Faza e dytë është procedura paraprake që i ka paraprirë miratimit të vendimit për formimin e komisionit dhe fillimin e procedurës për prokurim publik, që është në kompetencë të organeve drejtuese, përkatësisht drejtorit të përgjithshëm, Bordit Drejtues, Bordit Mbikëqyrës dhe aksionarit të vetëm, secili në kuadër të kompetencave të veta. Në këtë procedurë mblidhen të gjitha dokumentet si procedurë paraprake për përcaktimin e ligjshmërisë së procedurës, qëllimit të saj dhe nëse ajo ishte e nevojshme”.
Dëshmitari tha gjithashtu se pas marrjes së vendimit për përzgjedhje dhe pas lidhjes së marrëveshjeve kornizë, prokurimi ishte objekt i kontrollit administrativ nga Byroja për Prokurime Publike.Në pyetjen se çfarë kishte ndodhur me terminalet e blera, Andonov u përgjigj se ato asnjëherë nuk ishin vënë në funksion. Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Përparim Bajramit, dëshmitari deklaroi se nuk mund të kujtohej saktësisht nëse për prokurimin ekzistonte dokumentacioni i plotë, por theksoi se procedura kishte përfunduar me lidhjen e kontratës.
Kujtojmë se në rastin “Lotaria Shtetërore”, përveç Artan Grubit dhe Përparim Bajramit, të akuzuar janë edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmet, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Sipas aktakuzës, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, ata i kanë shkaktuar dëm SHA “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarësh. Të gjithë të akuzuarit më herët janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë. Seanca gjyqësore do të vazhdojë më 20 tetor.
Samir Mustafa /SHENJA/

