(VIDEO) Nesër takimi në Sofje, Mickoski: Mesazhi ynë është i qartë, vetëm me dialog mund të zgjidhet ngërçi
Kryeministri Hrsitijan Mickoski ka deklaruar se ditën e nesërme ministri i jashtëm Timço Mucunski do të zhvillojë takim me homologen e tij bullgare dhe se për taimin ka marrë konfirmim zyrtar nga Sofia gjatë ditës së djeshme. Mickoski tha se mesazhet që RMV do t’i dërgojë në Bullgari janë të qarta, se vetëm me dialog mund të zgjidhet kjo çështje, se RMV është për raporte të mira fqinjësore dhe se dëshiron që sa më shpejtë ta arrijë qëllimin strategjik që është anëtarësimi në BE.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Nesër do të ketë takim bilateral, do të shohim se në çfarë formati do të jetë takimi, do të shohim se si do të zhvillohet takimi, nëse do të jetë një takim i shkurtë apo një takim bilateral në margjinat e samitit për Korridorin 8. Gjithsesi, bëhet fjalë për një ngjarje shumëpalëshe, ndaj do të shohim se si do ta organizojë takimin nikoqiri”.
I pyetur për njoftimin e komisioneres evropiane për zgjerim Marta Kos, për ndryshime në mënyrën se si merren vendimet në negociatat e anëtarësimit, Mickoski vlerësoi se reforma e paralajmëruar e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian tregon se në Union është I njohur problemi me përdorimin e vetos nga disa vende anëtare për çështje të cilat, sipas tij, janë jashtë kritereve dhe vlerave evropiane.
Sa i përket integrimit gradual të paralajmëruar nga Brukseli, Mickoski vlerësoi se vendi ynë ka mundësi të mëdha për t’u përfshirë në këtë proces, sepse siç tha ai RMV plotëson 2 nga kushtet për këtë proces.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Kushti i parë do të jetë specifik për secilin shtet, pra do të bëhet fjalë për reforma të caktuara që shteti duhet t’i zbatojë. Kushti i dytë është të ketë një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, ashtu siç tha edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe ne si shtet ishim të parët që e përmbushëm këtë. Kushti i tretë ka të bëjë me sistemin e prokurimeve publike, një reformë të cilën javën e ardhshme do ta përfundojmë dhe përmbushim në parlament. Dy nga tre kushtet i kemi realizuar tashmë”.
Mickoski konsideron se reforma e procesit të zgjerimit përfaqëson një përpjekje për të kufizuar mundësinë që vendet anëtare t’i përdorin çështjet bilaterale si instrument në procesin e anëtarësimit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

