(VIDEO) Mickoski nuk pret asgjë nga takimi në Bullgari
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka marrë përgjigje për ftesën për takim me palën bullgare në kuadër të konferencës ndërkombëtare ministrore për Korridorin 8. Kryeministri Hristijan Mickoski, tha sot se ende nuk kanë konrimim nga apala bullgare. Ndërkaq, i pyetur se çfarë pritshmërish ka nga takimi në Sofje mes ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Bullgarisë, tha se nuk ka pritshmëri të mëdha.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Duke pasur parasysh analizën time, të cilën dje ia thashë ministrit të Punëve të Jashtme, ja, do të jem përsëri diplomatikisht jokorrekt: duke pasur parasysh sjelljen e Sofjes zyrtare, nuk pres konfirmim, nuk pres asgjë. Pres ndonjë dialog „pull aside“, siç e quajmë ne, „në korridor“, dhe kaq, përafërsisht”.
Ndërkaq, LSDM-ja opozitare po e akuzon kryeministrin se po tenton të krijojë tensione para takimit me Bullgarinë. Andrej Zhernovski nga kjo parti në një konferencë për media tha se, në periudhën në vijim, do të pasojë inicimi dhe ndezja e temës së Bullgarisë, duke keqpërdorur historinë, si justifikim se pse Qeveria nuk mund të bëjë një hap përpara drejt Brukselit.
Andrej Zhernovski, LSDM
“Tani do të jemi dëshmitarë, tashmë jemi dëshmitarë, për fat të keq, të një strategjie për minimin e të gjithë kësaj situate, të gjithë atmosferës rreth takimit që duhet të zhvillohet me fqinjin tonë lindor. Edhe para se të zhvillohet takimi, po shohim një strategji për ta minuar atë takim. Kryeministri Mickoski tani do të na bëjë të mendojmë dhe të flasim vetëm për atë që ka ndodhur në të kaluarën. Do të na bëjë të shikojmë prapa, e jo përpara. Do të na bëjë të flasim për të kaluarën, e jo për të ardhmen”.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe Velislava Petrova, pritet të takohen të enjten në Sofje, në margjinat e konferences ndërkombëtare ministrore për Korridorin 8. Nisma për takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të dy vendeve u paraqit gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup. Me këshillën e saj, kryeministri Hristijan Mickoski i kërkoi Mucunskit të kërkonte një takim me Petrova, në përpjekje për të nxitur procesin për zgjidhjen e problemit lidhur me bllokadën bullgare ndaj integrimit evropian të Maqedonisë.
Teuta Buçi /SHENJA/

