Mexhiti: Sot hodhëm një hap konkret në realizimin e Bulevardit “Cvetan Dimov”
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se ekipet e komunës, së bashku me ekspertët gjeodezikë, kanë dalë në terren për përcaktimin e saktë të trasesë së Bulevardit “Cvetan Dimov”.
“Sot hodhëm një hap konkret drejt realizimit të Bulevardit “Cvetan Dimov”.
Ekipet e Komunës së Çairit, së bashku me ekspertët gjeodezikë, dolën në terren për përcaktimin e saktë të trasesë së bulevardit, një projekt që do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe lidhjen e Çairit me Butelin, Shutkën dhe komunat përreth.
Për mua, ky është më shumë se një projekt infrastrukture. Është përmbushja e një premtimi dhe realizimi i një nevoje të kahmotshme të qytetarëve.
Reagimet e qytetarëve në terren ishin jashtëzakonisht pozitive. Për ta, zgjerimi i “Cvetan Dimov”-it përfaqëson një ndërhyrje të domosdoshme që do të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore në këtë pjesë të qytetit.
Premtimet kanë vlerë vetëm kur shndërrohen në punë konkrete.
Bulevardi “Cvetan Dimov” po kalon nga premtimi në realizim”, ka shkruar Mexhiti.

