(VIDEO) 33-vjeçari nën hetim, policia i gjen bomba dhe armë në shtëpi
Prokuroria Publike e Shkupit ka nisur hetim ndaj një 33-vjeçari nga Shkupi, pasi në banesën e tij janë gjetur armë, municion, eksploziv dhe marihuanë. Prokuroria ka sjellë Urdhëresë për zbatim të procedurës hetimore kundër 33-vjeçarit për veprat penale – Përpunimi, mbajtja, ndërmjetësimi dhe tregtimi i paautorizuar me armë apo lëndë plasëse, si dhe Prodhim i paautorizuar dhe vendosje në qarkullim të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka sekuestruar një bombë dore ‘M75’ me rruaza metalike të implantuara me diametër rreth 2 mm, 240 plumba të kalibrave të ndryshëm, dy pistoleta – ‘Crvena Zastava’ 7.65 milimetra dhe ‘Beretta’, me gjithsej 13 plumba në karikatorë, si dhe rreth 7 gramë marihuanë”.
Vëmendje të veçantë në hetim ka tërhequr edhe një çelës motori, për të cilin ekzistojnë njohuri operative se është përdorur gjatë kryerjes së veprës penale të vrasjes.
Prokurori ka kërkuar nga gjykata caktimin e paraburgimit për 33-vjeçarin, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprave penale.
Samir Mustafa /SHENJA/

