(VIDEO) Terapia cistike tashmë në dispozicion për 126 pacientë

(VIDEO) Terapia cistike tashmë në dispozicion për 126 pacientë

Terapia moderne moduluese për fibrozën cistike është tashmë në dispozicion për 126 pacientë në vend. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski tha se nga vetëm tre pacientë në vitin 2021, kur u fut për herë të parë kjo terapi, numri këtë vit ka arritur në 126. Për herë të parë, trajtimi është zgjeruar edhe te pacientët nga mosha dyvjeçare, si dhe te pacientët me mutacione gjenetike që më parë nuk përfshiheshin në terapi.

MARKETING

Shik.mk

SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Progresi nuk është vetëm në terapi, progresi është edhe në ekspertizën e trajtimit. Jemi veçanërisht mirënjohës ndaj Klinikës universitare për sëmundjet respiratore tek fëmijët “Kozle” dhe Klinikës së fëmijëve, për përpjekjet e investuara dhe përmes programit të trajnimit me spitalin e Kembrixhit për të futur praktikat më të mira në trajtimin e pacientëve me fibrozë cistike. Ky nuk është rasti në të gjitha vendet e rajonit që kanë një program gjithëpërfshirës trajtimi”.

Në konferencën për media  foli edhe Fiki Gaspar, përfaqësues i Shoqatës së personave me fibrozë cistike. Ai tha se zgjerimi i terapisë edhe për pacientët më të vegjël është realizimi i një prej kërkesave më të rëndësishme të pacientëve dhe familjeve të tyre, pas një beteje të gjatë.

FIKI GASPAR, PËRFAQËSUES NGA  SHOQATA E PERSONAVE ME FIBROZË CISTIKE

“Pas një beteje të gjatë, është arritur qëllimi më i rëndësishëm për pacientët – disponueshmëria e terapisë edhe për pacientët më të vegjël. Ky është një hap i madh për të gjithë personat me fibrozë cistike dhe familjet e tyre”.

Ndërkaq, ministri Klekovski  theksoi  se synimi është që të mos ketë lista pritjeje aty ku ekzistojnë dëshmi për efektivitetin e trajtimeve që ndryshojnë jetën e pacientëve. Klekovski njoftoi gjithashtu se në plan afatmesëm pritet edhe futja e ilaçit të ri “Alyftrek”, i cili aktualisht është në proces regjistrimi në vend. Sipas tij, ky ilaç mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm për pacientët me mutacione të shumta gjenetike, te të cilët “Trikafta” nuk është plotësisht efektive.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING