Në Shkup janë shqiptuar mbi 80 mijë euro dënime për gjuajtjen e pakujdesshme të mbeturinave
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot deklaroi se në periudhën e kaluar, janë shqiptuar dënime në vlerë prej mbi 80.000 euro ndaj subjekteve juridike të cilët kanë gjuajtur mbeturina në mënyrë të pakujdesshme, duke shtuar se për një luftë më efektive kundër fenomeneve të tilla, është e nevojshme të formohet një polici komunale.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me zbatimin e ndalimit të hedhjes së mbeturinave pas orës 22, Gjorgjievski tha se Inspektorati i Qytetit të Shkupit i kryen me përgjegjësi kompetencat e tij, por potencoi se sistemi ekzistues ka kufizime.
“Absolutisht na mungon policia komunale, për të cilën presim që Ligji për Vetëqeverisje Lokale të votohet në Kuvend edhe një herë apeloj që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Ndonjëherë nuk mjafton vetëm të gjobitësh, edhe shuma e gjobës është shumë e rëndësishme”, theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit.
Gjorgievski potencoi se një pjesë e qytetarëve besojnë se është më lirë për ta të paguajnë gjobën sesa të hedhin siç duhet mbeturinat e rënda në deponinë “Drislla”, prandaj Qyteti planifikon të hedhë mbeturina të tilla falas çdo javë për të gjithë banorët e Shkupit.
Sipas tij, problemi me hedhjen e paligjshme të mbeturinave është rezultat i sjelljes së një numri të vogël qytetarësh dhe kompanish të pakujdesshme që lënë mobilje të vjetra dhe mbeturina të tjera të rënda pranë kontejnerëve, parqeve dhe bulevardeve.
“Nuk mund të lejojmë, përsëri do ta them, që sjellja e një pakice të shkaktojë problem për të gjithë ne. Pakicë janl ata që sillen në mënyrë të pakujdesshme ndaj mjedisit jetësorë, pakicë janë ata që, kur rinovojnë kuzhinat, shtretërit dhe gjithçka tjetër, i lënë ato në parqe, në bulevard, rreth kontejnerëve e kështu me radhë. Kemi veprime serioze nga subjektet juridike, janë vendosur gjoba mbi 80.000 euro në periudhën e kaluar dhe ky është një numër serioz gjobash. Qofshin ato punishte apo kamionë që hedhin mbeturina në mënyrë të pakujdesshme. Nëse të gjithë luftojmë plotësisht atë që është problem dhe atë që shkaktohet nga disa, mendoj se do ta arrijmë efektin. Do ta them përsëri për shifrat e gjobave, mundeni lirisht të drejtoheni nl inspektorat”, tha Gjorgjievski.
Ai theksoi se në luftë kundër ndotjes dhe gjuajtjes së pakujdesshme të mbeturinave në mënyrë aktive janë të përfshira komunat e Shkupit, duke vlerësuar se me një qasje të koordinuar, mund të arrihen rezultatet e dëshiruara.
Gjorgjievski shtoi se Qyteti i Shkupit mbetet i përkushtuar ndaj transparencës së plotë dhe se të gjitha të dhënat e detajuara mbi numrin e gjobave të shqiptuara janë të disponueshme përmes inspektoratit të qytetit.

