Dy vjet e gjysmë burg pas pranimit të fajit për të punësuarën në MPB që falsifikonte leje të vozitjes
Tre të akuzuar në lëndën për falsifikimin e lejeve të vozitjes kanë pranuar fajin dhe kanë marrë dënime me burg në procedurë të shkurtuar. I akuzuari i parë, një i punësuar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, u dënua me dy vjet e gjashtë muaj burg, ndërsa të akuzuarit e dytë dhe të tretë u dënuan me një vit e tre muaj burg. Masa e paraburgimit është vazhduar për të tre, informuan në brifing në Gjykatën Themelore Penale në Shkup.
Lënda ka të bëjë me vendosjen e jashtëligjshme të kategorive në lejet e vozitjes, dhënien dhe përdorimin e tyre. Nga Gjykata sqarojnë se bëhet fjalë për aktakuzë dhe pasi nuk ka vlerësim, menjëherë është caktuar seancë gjyqësore. Tre janë të pakapshëm, ndërsa për tre të tjerët që ishin në paraburgim dje është mbajtur seancë gjyqësore, në të cilën e pranuan fajin dhe u përcaktoi dënim me burg.
Prokuroria Themelore Publike Shkup më 19 shtator parashtroi aktakuzë kundër gjashtë personave për vepër të vazhduar penale falsifikimin e dokumenteve sipas nenit 378 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
E akuzuara e parë, e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme si këshilltare e re për dokumente udhëtimi në Departamentin e Çështjeve Administrative në Shkup, në periudhën nga shtatori 2020 deri në gusht 2026, ka përdorur vazhdimisht kodet e saj zyrtare për të ndryshuar lejet e vozitjes duke futur kategori shtesë, deklaron Prokuroria.
Pesë të akuzuarit e tjerë janë shoferë të cilët, edhe pse nuk kishin dhënë provim për kategoritë C dhe D, në marrëveshje me nëpunësen kishin parashtruar kërkesa për dhënie të lejeve të vozitjes, në të cilat ishin vendosur kategori për të cilat nuk i kanë përmbushur kushtet ligjore.
Për tre të akuzuar, të cilët nuk janë të kapshëm për organet e drejtësisë, është propozuar të caktohet paraburgimi pas zbulimit të tyre dhe procedura kundër tyre të vazhdojë në mungesë. Në kuadër të lëndës së njejtë, Prokuroria vazhdon të ofrojë prova kundër 21 personave të tjerë të dyshuar si ndërmjetës ose përdorues të lejeve të falsifikuara të vozitjes, ndërsa hetimi përfshin edhe keqpërdorime të tjera të mundshme që lidhen me këtë rast.

