(VIDEO) Mbi 20 dyqane u përfshinë nga zjarri në Shuto Orizare
Një zjarr që shpërtheu në orët e para të mëngjesit të sotëm ka djegur mbi 20 dyqane në pazarin e Shutkës. Për më shumë se tri orë zjarrëfikësit kanë luftuar me flakët dhe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se nuk ka persona të lënduar dhe se po punohet për zbardhjen e rastit.
MPB
“Gjatë ditës së sotme (11.09.2026), rreth orës 03:20, në SPB Shkup është raportuar se në një qendër tregtare në territorin e Shuto Orizares janë përfshirë nga zjarri mbi 20 dyqane me tekstil dhe mallra të tjera, në pronësi të S.S., të cilat i kishte dhënë me qira”.
Në ndërkohë nga Qendra për Menaxhim me Kriza bëjnë të ditur se ekipet e zjarrfikësve kanë ndërhyrë menjëherë pas raportimit të zjarrit, ndërsa intervenimi ka zgjatur nga ora 03:31 deri në 06:45. Në shuarjen e flakëve kanë marrë pjesë gjithsej 15 zjarrfikës me gjashtë automjete kundër zjarrit, të cilët kanë punuar për disa orë për të vënë situatën nën kontroll.
Për momentin nuk ka informacion zyrtar për shkakun e shpërthimit të zjarrit. Institucionet kompetente pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të kontrolleve dhe konstatimit të rrethanave në të cilat ka shpërthyer zjarri. /SHENJA/

